Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 14:30

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi sot me gazetarët akuzoi qeverinë se “po përpiqet të deformojë zgjedhjet e ardhshme vendore”.

Pas takimeve me ambasadorin e SHBA-së, Alexandër Arvizu dhe ambasadorin e OSBE-së, Eugen Ëollfarth në selinë e PS-së, Rama bëri të ditur se i kishte informuar ata mbi shqetësimet, që lidhen me domosdoshmërinë e garantimit të procesit zgjedhor.

“Ne i konsiderojmë të pagarantuara zgjedhjet e ardhshme dhe do të vazhdojmë të mbrojmë fort bindjen për të pasur një proces zgjedhor që të mos i ngjajë farsës së zgjedhjeve të shkuara” deklaroi Rama.

Ai nënvizoi se vazhdon mungesa e transparencës me përgatitjen e listave zgjedhore. “Ekipi i ekspertëve tanë i ngarkuar me këtë çështje na informon se ndoshta nesër do të jemi gati të bëjmë publike gjetjet e hetimit mbi listat, që janë shqetësuese”, tha kreu i PS-së.

Rama tha gjithashtu se “ka filluar një mësymje mbi administratën, që nga ministritë e deri tek trupat mësimore në qytete të ndryshme të vendit, ku u kërkohen nëpunësve të administratës informacione mbi kartën e identitetit, vendbanimin etj, që krijojnë shumë shqetësim në këtë fazë ku ndodhemi”.

Sipas tij, në këtë manipulim po merr pjesë dhe KQZ, e cila nën drejtimin e kryetarit të saj, po fotokopjon dokumente zgjedhore për t’i vënë në shërbim të kryeministrit. Rama kërkoi që kreu i KQZ-së Ristani të dalë para drejtësisë.

“Ne kemi informacion të mjaftueshëm dhe të besueshëm se KQZ është përfshirë në një operacion kriminal, duke fotokopjuar për nevojat e pushtetit dhe fushatës së tij materialet zgjedhore, që iu mohuan publikut dhe opozitës. Për këtë, kryetari i KQZ-së, Ristani duhet të dalë para drejtësisë për shkelje të rënda të ligjit. Ne KQZ-në do ta lëmë të punojë, por jo të manipulojë”, tha Rama.

Ai gjithashtu u ndal dhe tek çështja e kontrabandës së naftës, që sipas tij drejtohet nga qeveritarët dhe është me pasoja shkatërruese për ekonominë e vendit dhe buxhetin e shtetit.