Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 18:06

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i kërkoi të mërkurën partnerëve ndërkombëtarë që të deklarojnë të vërtetën për zgjedhjet e 8 majit në Tiranë, ndërsa pohoi se nuk mund të ketë dialog në kushtet kur qeveria ka vjedhur opozitën.

“Ne i kërkojmë sot publikisht miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të shqiptarëve që në kushtet kur vjedhja ka ndodhur hapur dhe në sytë e tyre, të mos mjaftohen me predikimin qëllimmirë të radhës. Populli shqiptar ka nevojë të dëgjojë shkoqur të vërtetën nga goja e partnerëve të tij të çmuar, që as nuk janë dhe as nuk mund të bëhen palë me vjedhësit e zgjedhjeve”, u shpreh Rama në një deklaratë për mediat.

Duke garantuar se opozita do të jetë zëdhënëse e standardeve të BE-së, Rama bëri të ditur kursin e mëtejshëm që do të ndjekë partia më e madhe e opozitës në vend.

“Kursi ynë i ri politik do të jetë shprehje e domosdoshmërisë për ta futur Shqipërinë në rrugën e shumëkërkuar të funksionimit të demokracisë”, tha ai.

Ai theksoi se në kushtet kur opozita është vjedhur nga qeveria, nuk mund të ketë një dialog të mundshëm.

“Me pushtetin e vjedhur që grabiti edhe zgjedhjet në Tiranë, që manipulon çdo gjyq, që kërcënon prokurorinë për çdo akuzë, nuk ka sot për sot asnjë lloj dialogu të mundshëm. Nuk mund të ketë një dialog serioz në kushtet kur qeveria ka vjedhur haptazi opozitën”, theksoi kryetari i PS-së.