Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 20:08

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama i kërkoi sot kryeministrit Sali Berisha listën paraprake të zgjedhjeve të 8 majit, ndërsa theksoi se opozita nuk do të lejojë manipulimin e këtij procesi, si ndodhi me zgjedhjet e mëparshme.

“Apeli im për Saliun është: dorëzo listën paraprake të datës 8 mars, e cila konsiderohet si lista përfundimtare pas së cilës nuk mund të bëhen lëvizje të zgjedhësve nga një njësi në tjetrën, gjë që po ndodh. Nëse listat nuk na vihet menjëherë në dispozion ne do ta përshkallëzojmë veprimin tonë kundër pushtetit që kërkon të rivjedhë votat”, tha  Rama në një deklarim për mediat.

Kreu i PS-së bëri të ditur dhe tre kërkesat që opozita ka lidhur me procesin zgjedhor të 8 majit, të cilat, sipas tij janë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe të realizueshme në kohë.

“PS këmbëngul në transparencën e listave zgjedhore bazuar në kodin zgjedhor. Pas datës 8 mars asnjë person nuk mund të ndryshojë qendrën e tij të votimit. Këto ndryshime të jashtëligjshme po ndodhin edhe sot. Listat duhet t’i vihen në dispozicion PS-së dhe të jenë transparente për çdo votues”.

Së dyti, vijoi Rama PS kërkon pajisjen e komisioneve me instrumenta për verifikimin e kartave të çdo votuesi se vetëm kështu do të mbrohemi nga kartat e falsifikuara.

Gjithashtu, PS kërkon miratimin e parimit të transparencës, sipas së cilës çdo forcë politike që do të kërkojë transparencë për çdo kuti votimi pas shpalljes së rezultateve, ta bëjë këtë transparencë.