Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 07:30

Tiranë- Pas deklaraës së Ambasadorit të SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu në fillim të këtij muaji, lidhur me ngjarjet e 21 janarit të një viti më parë, ku theksoi se “do dëshiroja të kishte më shumë një si lloj shprehje keqardhjeje nga ana e PS-së për rolin e saj në kontributin për situatën që u zhvillua më 21 janar”, kreu i PS-së, Edi Rama u shpreh mbrëmjen e sotme se “përgjegjëse për të është vetëm qeveria”.

Gjatë një emisioni televiziv, Rama tha se “masakrën e  21 janarit nuk e bëri opozita, por qeveria që vrau me pushkët e gardës , ky krim nuk mund të balancohet. Njerëzit në demonstratë me vullnet të lirë, nuk i përdori opozita”.

Kreu i selisë rozë shtoi më tej se “në 21 janar të vitit të kaluar demonstruesit u ndaluan dhe u hetuan, asgjë e tillë nuk ka rezultuar, asnjëri prej tyre nuk është fajtor për asgjë. Ata kanë reaguar në mënyrë spontane, pasi i provokoi policia”.

Lidhur me hetimet për këtë ngjarje , kreu i PS-së u shpreh se “hetimi po shkon në rrugën e duhur, falë kurajos së kryeprokurores Ina Rama dhe mbështetjes së SHBA-ve”.

I pyetur rreth deklaratës së Ambasadorit të SHBA-së Arvizu që të mos i bëhet presion prokurorisë në hetimet për këtë çështje, Edi Rama theksoi se “kërkesa jonë që Berisha dhe Basha të heton nuk është presion ndaj prokurorisë, por vetëm qëndrim”.

Më tej kryesocialisti shprehu gatishmërinë që të hetohet për ngjarjet e 21 janarit, nëse do e kërkonte organi i akuzës.

“Prokuroria e Përgjithshme ka të gjithë të drejtën të hetojë gjithcka sheh të arsyeshme, ne kërkojmë hetim të paanshëm, i qëndrojmë kësaj kërkese edhe kur përfshihen deputetët e PS. Kam gatishmëri që sikurse tre deputetët dorëzuan vullnetarisht mandatin, ta bëjnë edhe të gjithë të tjerët. Edhe unë jam i gatshëm të vihem në dispozicion të Prokurorisë, nuk kam asgjë për të fshehur”, tha Rama.

Ai i shprehu falenderime Ambasadorit Arvizu për mbështetjen që i ka ofruar prokurorisë për hetimet e 21 Janarit.