Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 13:38

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se draftet që do t’i paraqiten Kongresit të 5 nëntorit, programi bazë i PS-së dhe dokumenti për reformën organizative, do të jenë mjetet me të cilat partia më e madhe e opozitës do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.    

Në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist kryetari Rama nënvizoi se programi bazë është plot vizion, ide dhe alternativa konkrete që do të shtjellohen me të gjithë njerëzit, në çdo qytet e fshat.

“Me to kemi risi organizative, mundësi për të hapur PS-në si një parti e çdo shqiptari që do të bëhet pjesë e ndryshimit të domosdoshëm. Propozimi ynë për heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë dhe ilaçet ka ngjallur interes dhe ne do ta bëjmë atë realitet sapo të vijmë në qeveri”, tha ai.

Në fjalën e mbajtur para deputetëve të majtë, kreu i PS-së reagoi dhe ndaj deklaratës së djeshme të deputetëve demokratë, anëtarë të komisionit parlamentar të ligjeve, të cilët refuzuan pjesëmarrjen në tryezën për reformimin e sistemit të drejtësisë, organizuar tre ditë më parë nga opozita.     

“Deputetët demokratë, përmes një deklarate të turpshme, fyese dhe penguese për procesin politik që duam të ndërtojmë për të mirën e vendit, dhanë dje një mesazh të shëmtuar. Megjithatë, ne do të vazhdojmë politikën e dorës së shtrirë; do të vazhdojmë të shohim përpara, të jemi zëri dhe forca e së ardhmes, sepse vendit i duhet garancia e së ardhmes dhe statusi i kandidatit është prova e kësaj garancie”, deklaroi Rama.