Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 09:30

Tiranë -Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu në takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Europian, zotin Stefano Sannino, angazhimin e plotë të Partisë Socialiste për përmbushjen e reformave të domosdoshme për procesin e Integrimit Europian.

Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj vizite, Rama ngriti shqetësimin për funksionimin e shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit, si dhe gjendjen e demokracisë në vend.

Ai theksoi se PS i ka qëndruar angazhimit të saj për ligjet me 3/5, zgjidhjen e titullarëve të institucioneve të pavarura dhe do të jetë e angazhuar dhe në të ardhmen për reformën parlamentare dhe elektorale.

Z. Sannino shprehu kënaqësinë për kontributin e Partisë Socialiste për progresin e arritur muajt e fundit dhe reformat e ndërmarra, duke vënë në dukje që kjo i shërben krijimit të klimës së besimit për bashkëpunimin në të ardhmen në të mirë të ecurisë të procesit të integrimit.

Duke u ndalur në rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në procesin e integrimit, Kryetari i PS dhe Drejtori i Zgjerimit shkëmbyen mendime për domosdoshmërinë e projekteve konkrete në nxitje të këtij bashkëpunimi, sidomos për problemet e përbashkëta të vendeve tona.

Në këtë takim ishin të  pranishëm dhe deputeti Ditmir Bushtati, Kryetar i Komisionit të Integrimit, z. Ettore Sequi, Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe z. Vassilis Maragos, Shef i Sektorit të Shqipërisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit. (LajmeShqip.com)