Tiranë – Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të votojë të enjten në Kuvend, pro heqjes së imunitetit të tre deputetëve socialistë Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare.
Kryetari i PS-së, Edi Rama, në mbledhjen e përjavshme të grupit deklaroi se deputetët socialistë do të votojnë pro kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të tre deputetëve lidhur me rolin e tyre në ngjarjet e 21 janarit 2011.
“Të enjten ne do të votojmë në mbështetje të kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve tanë. I falënderoj ata për qëndrimin e tyre të qartë publik. Vënia e tyre me vullnet të lirë e të plotë në dispozicion të prokurorisë, në mbështetje të hetimit të 21 janarit, menjëherë pas kërkesës së prokurorisë nderon PS-në dhe grupin e saj parlamentar”, u shpreh Rama.
“Ne, vijoi ai, e mbështesim pa asnjë lëkundje hetimin dhe vetë Prokuroren e Përgjithshme, që gjendet nën presionin e pushtetit”.
Kryetari i PS-së akuzoi maxhorancën “për sulme vulgare ndaj Ina Ramës”, ndërsa pohoi vullnetin e opozitës “për një shtet të së drejtës, për të respektuar ndarjen kushtetuese të pushteteve dhe institucioneve të pavarura”.