Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 15:23

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, reagoi sot ndaj dekretit të Presidentit për emërimin e Ardian Fullanit për një mandat të dytë në postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, duke paralajmëruar votën kundër të opozitës në Kuvend ndaj kësaj kandidature.

Në një deklarate për shtyp, Rama tha se “në këndvështrimin e PS-së nuk është kandidaturë e gabuar, por është kandidatura më e gabuar”.

Sipas tij, mundësia e një mandati të dytë për z. Fullani është pamundësi për të riparuar dëmet e konsiderueshme të mandatit të tij të parë.

“Për interesin e financave kombëtare dhe të popullit shqiptar, uroj që rrjedha e rrezikshme ku kanë hyrë punët me financat e këtij populli të ndalet një orë e më parë”, thuhet në deklaratën e Ramës.

“E kështu as Presidenti Topi, bashkë me votuesit e mundshëm në Kuvend të kësaj kandidature 100% të gabuar, të mos kenë asnjë arsye të pendohen për këtë zgjedhje nga mënyra si mund të precipitojnë gjërat edhe për shkak të drejtimit të politizuar dhe të papërgjegjshëm të Bankës së Shqipërisë. Partia Socialiste do të votojë kundër kësaj kandidature”, përfundon deklarata për shtyp e kryetarit të PS-së.