Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 10:14

Edi Rama ka nisur një tur takimesh me lexues të librit të tij “Kurban”, duke u ftuar në qytete të ndryshme për të firmosur autografe dhe për të folur për librin e sapobotuar nga shtëpia botuese Dudaj. Të mërkurën ai ishte në Shkodër, ku ndër të tjera u tha lexuesve të “Kurban”-it se këtë libër e ka shkruar duke treguar të vërtetën e tij në mënyrë që kjo e vërtetë tu shërbejë dhe të tjerëve dhe jo si një libër autobiografik për të shkuarën.

“Është kënaqësi për mua tu përgjigjem kërkesave për autobigrafimin e librit. Libri duhet të flasë vetë për veten dhe secili ta krijojë idenë duke e lexuar dhe për mua është kënaqësi që ju ta lexoni”, tha Rama para atyre që ishin mbledhur në aktivitetin e organizuar me këtë rast në qytetin verior.

“Ky nuk është një libër për të shkuarën, por për të ardhmen duke e parë në pasqyrën e së shkuarës. E shkuara është një pasqyrë  që vlen për të parë të ardhmen, një pasqyrë që i vlen një populli për të parë rrugën e tij drejt së ardhmes”, tha Rama më tej.

Më parë Rama firmosi qindra autografe në Tiranë e në Durrës, ndërkohë që libri i tij është kthyer në një fenomen mediatik.