Lajme Shqip Friday, 31 January 2014 12:55

Mazhoranca e re do të ndryshojë ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, ndërsa paralajmërohet edhe një reformë e thellë në këtë institucion. 

Pas akuzave të ministrit të Brendshëm , Saimri Tahiri, se SHISH nuk i jep informacione Policisë së Shtetit , ka ardhur edhe deklarata e kryeministrit Edi Rama në seancën e djeshme plenare.

 Sipas kreut të qeverisë, lufta ndaj krimit dhe veçanërisht pas ngjarjeve të fundit ku ka pasur disa atentate me tritol, kërkon edhe një reformë ligjore në shërbimet inteligjente, ndërsa u shpreh se përveç ngritjes së byrosë kombëtare të hetimit, do të ketë edhe një reforme ligjore e organizative edhe në shërbimet inteligjente. 

“Janë kapur 15 për qind më shumë kriminelë brenda vendit dhe 110 për qind më shumë nga të kërkuarit ndërkombëtarisht. Janë kapur 35 për qind më shumë në fushën e drogës, 59 për qind më shumë autorë trafiqesh dhe mbi 70 për qind më shumë për korrupsion.

 Ne kemi trashëguar policinë me moshën më të lartë në Evropë dhe me nivelin më të ulët arsimor, ndaj e kemi të vështirë. Sot ndjehet se keni përkeqësim të ndjeshëm sidomos në fytyrë. Aktet terrorizuese të goditjes me tritol janë për të kuptuar se reagimi i shtetit duhet të jetë shumë më kompleks se thjesht reagimi i policisë së shtetit.

 Siç thotë kryebashkiaku i Nju Jorkut, R. Xhuliani, ka të bëjë me kohën që i duhet rendit ligjor të organizohet siç është i organizuar krimi. Së shpejti në Kuvend do të shqyrtojmë reformën ligjore për rendin publik dhe do të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit”, vijoi Kryeministri.

 Gjatë debatit në seancë plenare, kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e deritanishme të Policisë së Shtetit, ndërsa ka akuzuar opozitën se po bën politikë me krimin.

 “Aq keq e luani pjesën e të përvuajturit për mëmëdhenë sa duket sikur tërë natën e kaloni natën duke pritur plagë tritoli dhe të dilni me vrap të akuzoni jo krimin, po policinë. Që ju se keni me krimin, po policinë, këtë luftën tuaj të dëshpëruar këtë e tregon mirë dhe fakti se ju si bëni kurrë thirrje policisë për të zbardhë ngjarjet, por nxitoni t’i kërkoni Ministrit të Brendshëm dorëheqjen”, tha ai. 

Ndërsa për opozitën, qeveria ka dështuar në garantimin e sigurisë publike në  vend, duke e cilësuar atë sinonim të tritolit. Duke folur për mbi 60 minuta në parlament, deputeti demokrat Sali Berisha u shpreh se kriminaliteti është shtuar që pas ardhjes në pushtet të qeverisë së majtë.

 “Me ardhjen në pushtet me premtimet anti-globaliste fjala e vetme që u zhduk nga fjalori është punësimi. Rikujtoni të gjitha retorikat boshe të piktorit dështak që i mbushet mendja se në Shqipëri sak ekonomist sesa ai.

 Duke mbjellë vrer e zi flet për tmerr dhe ferr në këtë vend, duke përshkruar Shqipërinë me atë realitet që ka në mendjen e tij dhe kurrë realitetin që ekziston. Ka shkatërruar dhe po shkatërron pa mëshirë me dhjetëra vende pune. Keni hedhur në erë shtetin ligjor duke shkelur rregullat e tij. 

Ky është një mekanizëm i zi që është Shqipëria në kaos, Shqipëria nën thundrën e krimit, Shqipëria e vrasjeve me maska dhe trafiqe. Çfarë bëtë me ardhjen tuaj në pushtet, për të mbyllur dosjet e kartelave shkarkuat policinë kriminale dhe sollët një mjerim që është ulur këmbëkryq në çdo rrugë”, tha Berisha. 

Përplasja Berisha-Tahiri 

Ministri i Brendshëm ,Saimir Tahiri, i kërkoi ish-kryeministrit Sali Berisha që të shpjegojë vendosjen e tritolit në shtyllën e tensionit të lartë në muajin dhjetor. “Mallkuar qoftë dita kur harrove emrin e baxhanakut tënd, nuk dije ku ishte Gërdeci. Mallkuar qoftë dita kur bodigardi i djalit tënd qëlloi me armë një kamerier se nuk i ndërroi tavllën

 Ta dini mirë se deri ditën e fundit të detyrës sime askush nga ju që guxon të nxis kriminalitetin në këtë vend do e pësojë paq. S’ke guxim të shohësh në sy. Nuk ke folur ishte pikënisja, tritoli te shtylla e tensionit të lartë. Ki kurajon të dalësh këtu e të flasësh për atë.

 Janë akte të pastra terroriste. Sot ata që nxisin dhe frymëzojnë krimin në këtë vend ,ndoshta edhe nën emrin tënd dje ishin në zyrat e pushtetit. Ky shtet e ka hedhur një herë e mirë lidhjen e pushtetit me krimin, dhe lidhjen me qeverinë dhe në familjen tënde. 

Deri në atë ditë bëni durim dhe lini policinë të punojë. Bekuar qoftë dita kur do e kuptosh që të ka ardhur fund”, deklaroi Tahiri. Ndërsa ish-kryeministri akuzoi ministrin Tahiri se mban kriminelë për truproje dhe se e ka kthyer Tiranën në lavatriçen e krimit..   

Topalli: Rama të japë llogari për Frrokun  

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli kërkoi shpjegime nga kryeparlamentirari Ilir Meta dhe nga kryeministri Edi Rama për denoncimin e bëre nga gazeta belge për deputetin Mark Frroku. “Para disa ditësh në gazete belge fliste për një emër që është deputet këtu në sallën e Kuvendit që akuzohej për vepra të renda penale, trafiqeve etj, unë nuk di cili do jetë vendimi, por një njeri që është ulur në këtë sallë disa vite nuk mund të rrijë pa i thënë kryeministrit: Fol e shpjego. 

Ku do shkojë vendi nëse të gjithë do të heshtin, nëse gazetat e huaja hapen me të tille emra e probleme, nëse është i pafalshëm pse nuk i del zot  kryeministri”, tha Topalli.

 Mediat ne Belgjike shkruajnë se deputeti i Partisë Kristian Demokrate Shqiptare ne Parlament, Mark Frroku është dënuar me 10 vjet burg ne vitin 2010 për vrasjen e një shqiptari dhe se muajin e ardhshëm duhet te rigjykohet. 

Sipas mediave belge, Frroku është dënuar për vrasje në bashkëpunim të shqiptarit Aleksandër Kurti, i vrarë me thikë në 5 mars të vitit 1999. Sipas belges “Sudinfo”,”vrasja e Kurtit lidhet me botën e prostitucionit ku veprojnë disa rrjete imigrantësh shqiptarë në Bruksel.

 Por, deputeti Frroku e cilësoi lajmin si të nxitur politikisht, duke garantuar se nuk ka asnjë problem me drejtësinë në asnjë vend të botës. /shekulli/