Lajme Shqip Thursday, 25 July 2013 14:21

Tiranë – Në një takim me drejtues të bankave në Shqipëri, kryeministri i ardhshëm Edi Rama deklaroi se duhet ndërtuar një strukturë e ndërmjetme mes qeverisë dhe botës së sipërmarrjes.

“Eshtë fakt që sot kemi cerekun e kredive të konsideruara të këqija. Duhen ndërmarrë hapa të nevojshëm për të kapërcyer një situatë që nuk duhet të përkeqësohet”, tha Rama.

Duke njoftuar ngritjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku përfaqësia e bankierëve do të jetë e domosdoshme, Rama theksoi se programi i PS-së nuk e ezauron të gjithë nevojën për auditim të plotë të sistemit qeverisës.

“Kemi kërkuar nga një kompani ndërkombëtare auditimi që të na ndihmojë të dimë të vërtetën. Eshtë një krizë e thellë, fatmirësisht ende e pashpërthyer në shtëpitë e qytetarëve”, tha Rama, raporton Top Channel.

Nga ana e tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani theksoi se ekonomia shqiptare po përballet me sfida të mëdha ciklike dhe strukturore.

“Përballimi i sfidave kërkon një vizion optimist dhe largpamës. Kyce është ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik dhe ndjekja e politikave stimuluese”, theksoi Fullani. Guvernatori shtoi se kusht i domosdoshëm është ruajtja e balancave makro-ekonomike.