Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 13:22

TIRANË – Partia Socialiste nuk do të votojë për të kaluar në parlament ligjin për Gjykatën e Lartë, pa u zgjidhur më parë çështja për zgjedhjet e qarkut në Fier të vitit 2009.

Kryetari i PS-së Edi Rama në një konferencë për shtyp të mërkurën u shpreh se, “ne nuk do të votojmë për të kaluar në parlament një tjetër copë letër që quhet ligji për Gjykatën e Lartë, nëqoftëse vendimi i vet Gjykatës së Lartë për Fierin nuk zbatohet nga qeveria”, tha Rama, i cili shtoi më tej se “kjo do të ishte nëpërkëmbje dhe shpërfillje e realitetit të 300 mijë zgjedhësve të qyetit të Fierit, tallje me procesin e integrimit, farsë bajate ku ligji letër nuk ka asnjë lidhje me ligjshmërinë e realitetit të Shqipërisë”.

Kryesocialisti theksoi në fjalën e tij se, “kërkojmë vetëm zbatimin e 7 vendimeve të Gjykatë së Shkallës së Parë, 4 vendime të Gjykatës së Apelit dhe 2 vendime të Gjykatës së Lartë dhe plotë 13 vendime gjykate të gjitha pa asnjë përjashtim në favor të PS-së, për qarkun e Fierit”.

Rama gjatë fjalës së tij, sqaroi se Partia Socialiste nuk e ka trajtuar më parë këtë çështje pasi nuk ka dashur të pengojë procesin ligjvënës në funksion të integrimit. “Nuk e ngritëm këtë çështje menjëherë, pasi Gjykata e Lartë u shpreh që në pranverë për këtë çështje, por nuk donim të pengonim votimin e ndryshimeve kushtetuese dhe as të bllokonim procesin për votimin e kufizimit të imunitetit”, tha ai dhe shtoi se, kjo është krejt e kundërta e asaj që u pretendua për të hedhur baltën e përditshme mbi opozitën. (LajmeShqip.com)