Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 01:45

Nga Edi Rama

Kryetar i Partisë Socialiste

 

Një familje e zakonshme shqiptare kanë humb djalin në një luftë ku Shqipëria është e angazhuar në emër të NATO-s. Eshtë një humbje që ka rënë rrufe mbi të gjithë ne.

Në emër të Partisë Socialiste e të gjithë opozitës shqiptare i shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të ndjera familjes së ushtarit të rreshtuar në frontin e betejës në Afganistanin e largët. Por në të njëjtën kohë u shpreh familjarëve, të afërmve e miqve të Voglit edhe mirënjohjen më të patregueshme të të gjithëve ne, për shërbimin e lartë patriotik që i bëri vendit tonë duke shkuar bashkë me të tjerë të rinj shqiptarë në atë front lufte.

Fjalët nuk mund të mjaftojnë dot për ta shprehur si duhet vlerën e sakrificës sublime të Feti Voglit, i cili sot fatkeqësisht mbylli sytë përgjithmonë duke i shërbyer kauzës së madhe të botës së lirë në luftën me një të keqe që synon asgjësimin e vetë lirisë së botës. Sakrifica e tij sublime, që i bashkohet asaj të mijëra e mijëra dëshmorëve të NATO-s në luftën e universit demokratik me forcat e një errësire kërcënuese për çdo vlerë e arritje të tij, është një kontribut i paçmueshëm i Shqipërisë së vogël për botën e madhe demokratike. Shqipëria sot ka një djalë të ri më pak, por një arsye tejet të fortë më shumë për ta vazhduar me edhe më shumë vendosmëri betejën e saj krah për krah me Shtetet e Bashkuara e me të gjitha forcat e NATO-s, kundër fashizmit të këtij shekulli që në Afganistan e gjetkë përpiqet të ndërtojë bazat për të terrorizuar e tjetërsuar botën e lirë.

Humbja e rëndë që sot e përjeton me dhimbje të thellë jo vetëm familja e dëshmorit tonë, po mbarë kombi ynë, është nga ato humbje që mbeten përgjithnjë të shënuara në historinë e sakrificave të lavdishme të një vendi. Askush nuk ua kthen dot djalin e vrarë që qajnë sonte bashkë me gjithë Shqipërinë, por si askujt tjetër u takon sot prindërve të jenë krenarë për fëmijën që rritën dhe gjithë shqiptarëve të jenë kryelartë për ushtarët që kanë çuar në luftë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij dhe shërbeftë ky shembull heroik për të qenë gjithnjë të bashkuar mesveti kur është fjala për të mbrojtur kauzat e botës së lirë, krah për krah me aleatët tanë të mëdhenj, kudo e kurdoherë që universi demokratik do të kërcënohet nga forcat djallëzore të së keqes. Me çdo sakrifice.