Lajme Shqip Friday, 07 June 2013 12:21

Tiranë – Brenda datës 30 prill, çdo qytetar që realizon të ardhura bruto të paktën 2 milionë lekë në vit, duhet të plotësojë dhe dorëzojë në organet tatimore deklaratën vjetore të të ardhurave personale. Bëhet fjalë për të ardhurat e grumbulluara gjatë vitit të mëparshëm fiskal. Me një llogari të thjeshtë, çdo individ që ka një pagë prej të paktën 166 mijë lekë në muaj, është i detyruar ta plotësojë këtë deklaratë. Ligji ka filluar të aplikohet që dy vite më parë, dhe është parë si një ndër hapat finalë për formalizimin e ekonomisë. Data 30 prill ka më shumë se 37 ditë që ka kaluar dhe afati tashmë është ezauruar. Burime konfidenciale të gazetës konfirmuan se lideri i PS-së, Edi Rama, nuk e ka dorëzuar deklaratën në organet tatimore, raporton BW.  Sipas të dhënave konfidenciale, Rama ka një pagë të deklaruar bruto prej 170 mijë lekësh në vit. Vetëm nga paga ka një të ardhur bruto vjetore prej 2.040 mijë lekësh në vit. Shuma e tejkalon kufirin minimal të detyrueshëm për të plotësuar deklaratën e të ardhurave me 40 mijë lekë, dhe e detyron liderin e opozitës ta plotësojë dhe dorëzojë një formular të tillë. Në fakt, kjo gjë ka ndodhur vitin e kaluar. Burime të gazetës treguan se një vit më parë, pra në vitin e parë të aplikimit të këtij ligji, Rama e kishte plotësuar dhe dorëzuar deklaratën. Dhe në atë vit, ai është paguar nga PS me një pagë prej 170 mijë lekësh në muaj. Ndryshe nga vjet, këtë radhë Rama nuk e ka zbatuar këtë pikë të ligjit. Deri dje, më 6 maj, në organet tatimore nuk është regjistruar deklarimi i të ardhurave të Edi Ramës. Deklarimi i të ardhurave personale bëhet me anë të një formulari që shkarkohet online nga faqja e Tatimeve. Deklarimi mund të plotësohet edhe online, dhe burime nga Tatimet tregojnë se kjo është forma më e përdorur nga individët. Deklarimi i të ardhurave bëhet në mënyrë që të plotësohet tatimi që duhet të paguajnë individët apo të kthehet tatimi i paguar më tepër gjatë vitit fiskal. “Diferenca ndërmjet totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme përbën të ardhurën e tatueshme të individit, e cila tatohet me shkallën tatimore në fuqi, 10 për qind”. Nga ana tjetër, ligji parashikon edhe shpenzime të zbritshme, siç janë ato për shkollim apo mjekim. Pra, plotësimi i deklaratës bën që individi të jetë i barabartë përballë peshës tatimore që aplikohet në vend. Deklarata lejon Tatimet që të rimbursojnë, apo ritatojnë, duke e korrigjuar kështu të gjithë procesin fiskal ndaj një individi. Në ligj parashikohen edhe penalitete për rastet kur individët nuk e plotësojnë dhe dorëzojnë deklaratën brenda afatit ligjor. “Kur administrata tatimore konstaton raste të mosplotësimit në kohë të deklaratës vjetore të të ardhurave, zbatohen sanksionet administrative, të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore për dorëzim”.