Lajme Shqip Saturday, 07 April 2012 14:09

Tiranë- “Programi ynë synon kryekëput rimëkëmbjen e ekonomisë, punësimin real, taksimin progresiv, shërbim për të gjithë dhe mbështetje për biznesin”, deklaroi të shtunën kryetari i PS-së, Edi Rama, në fillim të fjalës së mbajtur në punimet e Asamblesë Kombëtare të PS-së.

Në fjalimin e tij të gjatë Rama u fokusua tek programi i socialistëve “Për një Rilindje Kombëtare”, ku sipas tij, “komunikimi me njerëzit përbën aktin themelor të një procesi nga ku PS do dalë me një plan të detajuar si asnjëherë një forcë politike në 20 vjet, për t’i ofruar publikut një kontratë të qartë angazhimesh”.

“Në këtë rrugë po përvijohen dallimet edhe në katër shtyllat kryesore të programit. Dallimet në raport me ekonominë, alternativa jonë është rimëkëmbja, oferta e tyre është rrënimi i mëtejshëm i ekonomisë; ne duam punësim real, ata rritje të papunësisë; ne duam taksim të ndershëm, ata ofrojnë taksë të sheshtë që mbyt shtresën e mesme e të varfërit dhe ndan me thikë edhe vetë sipërmarrjen, mes 95% të sipërmarrësve dhe një 5% që përfiton nga një politikë klienteliste, me sfond tërësisht kriminal. Ne duam ta mbështetim biznesin; ata ofrojnë një rrugë qorre për të që sjell rrënimin. Ne duam shërbime publike sipas nevojës, ata vetëm sipas mundësisë për të paguar. Ne duam zhvillim modern rural, ata ofrojnë braktisjen e fshatit”, theksoi Rama.

Ai nënvizoi se në rrugën e programit kanë dalë një sërë aspektesh dramatike të jetës së vendit. Sipas tij, është dramatike që sot të ketë një dallim kaq të fortë dhe diskriminues në përcaktimin e kontributeve mes atyre që fitojnë më pak e atyre që fitojnë më shumë.    Rama u shpreh se problemi kryesor i vendit është me varfërinë, ndërkohe që qeveria lufton të qëndrojë duke mbingarkuar më të dobëtit, pasi më të fortët e kanë fushë me lule.

Sipas tij, asnjë e dhënë tjetër jashtë vendit nuk tregon që investimet prodhuese mund të shtohen përmes shtimit të kapitalit të huaj, sepse taksat janë të ulëta. “Problemet e investitorëve nuk lidhen me taksat, por me pronat që janë të pasigurta dhe kjo nuk garanton qetësi për investime afatgjatë, e lidhur dhe me ligjin që është ndryshuar 67 herë në 7 vjet dhe e bën çdo investim serioz të jetë i tërhequr”, tha Rama.

Mbledhja e sotme e Asamblese Kombëtare të PS-së nisi me një analizë të programit të socialistëve nga sekretari Ilir Beqja. Sipas tij, PS-ja përmes programit “Për një Rilindje Kombëtare”, i ka bërë tashmë të qarta dallimet themelore që ka me kundërshtarët e saj politikë, dallime që janë ideologjike dhe politike. (LajmeShqip.com)