Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 13:33

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama njoftoi përmes rrjetit social Twitter se gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork është takuar me ekspertin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Gervin Bell ku është njohur me shqetësimet e këtij të fundit për ecurinë e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore gjatë dy muajve të parë të këtij viti.

“Konsultë shumë e kënaqshme në NY me Gervin Bell nga FMN. Domosdoshmëri për politika realiste, ekonomike dhe fiskale. Në fokus ulja e borxhit”, shkruan Rama.

“Rishikimi rigoroz i buxhetit në kuadrin e të dhënave shqetësuese të dy muajve të parë të vitit është një nevojë që duhet trajtuar sa më parë”, shton kreu i PS-së.

Tema të tjera të konsultës mes Bell dhe Ramës ka qenë dhe “rishpërndarja e drejtë e të ardhurave, zhvillimi rural dhe arsimi profesional, si bazë për nxitjen e investimeve prodhuese”.

Rama ndodhet në SHBA, i shoqëruar dhe nga deputetët Ditmir Bushati, Andis Harasani dhe nga sekretari për Emigracionin, Erjon Veliaj. (LajmeShqip.com)