Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 12:00

Tiranë – Kryeprokurorja Rama mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të një projekti të zhvilluar në kuadër të programit “Sfida e Mijëvjeçarit”, në mbështetje të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

Kryeprokurorja Rama, në fjalën e saj, vlerësoi veprimtarine e 6 Njësive Hetimore, të ngritura dy vjet me parë për luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, duke i cilësuar ato si tregues suksesi.

Duke u ndalur te veprimtaria e tyre, Kryeprokurorja Rama tha se “kemi treguar sukses,  të cilat mund t’i definojmë me rritjen e numrit të rasteve të hetimit të krimit financiar dhe korupsionit, rritjen e rasteve të hetimeve dhe dënimeve për korrupsion, për zyrtarë të mesëm dhe të lartë, etj”.

“Çmojmë që tregues suksesi është edhe vlerësimi pozitiv në rritje i punës së Njësive hetimore antikorrupsion nga opinioni vendas dhe jashtë tij”, vuri në dukje Kryeprokurorja Rama.

“Ne raportet e strukturave të specializuara ndërkombetare, raportet e vlerësimit të eksperteve të Bashkimit Evropian, vlerësohet qartë si tregues pozitiv ngritja dhe funksionimi i Njësive Hetimore antikorrupsion”, tha ajo.

Prokurorja e Përgjithshme e konsideroi luftën kundër korrupsionit si një sfidë. “Anëtarët e Njësive Hetimore, kanë fituar disa beteja, por jo të gjithë luftën. Duhet të besojmë fort se, në këtë luftë me krimin,  korrupsionin,  fituesit do të jemi ne”, theksoi Kryeprokurorja Rama.

Gjashtë Njësi hetimore antikorrupsion u ngritën gati dy vjet me parë, në kuadër të programit “Sfida e Mijëvjçarit”, me mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto struktura, të ngritura në prokuroritë e rretheve, përbëhen nga prokurorë, hetues, oficerë të ministrisë së Brendshme, si dhe specialistë të Ministrisë së Financës, Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.