Lajme Shqip Monday, 05 August 2013 14:58

Tiranë – (E plotësuar) Pavarësisht se nuk e ka marrë ende zyrtarisht detyrën si kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama ka ndërtuar një axhendë aktive takimesh në disa vënde të Europës.

Pas takimeve në Itali me kryeministrin Lettadhe në Turqi me Erdogan, mesditën e së hënës Rama ka qëndruar në Athinë ku është takuar me kryeministrin grek, Andonis Samaras.

Takimin e njoftoi vetë kryeministri i zgjedhur përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Tëitter dhe Facebook. “Rreth 1 orë me kryeministrin Samaras për t’u njohur e diskutuar në funksion të një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve”, shkruan Rama për takimin me shefin e qeverisë greke.

Mësohet se temë e diskutimeve ishte integrimi europian i Shqipërisë, si dhe reformat e thella që zoti Rama pritet të të ndërmarrë në krye të ekzekutivit shqiptar pas betimit të qeverisë në shtator.

Nga burime konfidenciale të Top Channel mësohet se nuk ka mbetur jashtë diskutimit edhe çështja e marrëveshjes së kufirit detar.

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama kërkoi fillimin e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje në kuadër të vendimit të gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për anulimin e saj dhe në respekt të integritetit të dy vendeve.

Po të njëjtat burime pohuan se çështja e minoritetit grek që jeton në Shqipëri, përfshirë edhe problemin e toponimeve në pasaporta, për të cilën pala greke premtoi zgjidhje përfundimtare, ishin çështje që u diskutuan në takimin Samaras-Rama.

Gjatë qëndrimit në Athinë Edi Rama takoi dhe kryetarin e PASOK, njëkohësisht dhe Ministër i Jashtëm i Greqisë, Evangjelos Venizelos, si dhe ish-kryeministrin Kosta Simitis./TopChannel/

 

Rama në Greqi: Kapitull të ri në marrëdhëniet mes 2 vendeve

 

Athinë – Kryeministri i zgjedhur Edi Rama përfundon vizitën zyrtare në Turqi dhe nis të radhës në Greqi.

Në rrjetet sociale Twitter e Facebook, Rama njofton me anë të një postimi se ndodhet në Athinë për një vizitë tjetër të nivelit të lartë. Pas takimit me Erdogan, Rama pritet nga Samaras.

“Athinë. Rreth 1 orë me kryeministrin Samaras për t’u njohur e diskutuar në funksion të një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve”, citon Rama ne rrjetet sociale.

RAMA DHE VIZITA NE TURQI
Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama e konsideroi Turqinë, një partner strategjik bashkëpunimi për Shqipërinë. Sipas njoftimit të Partisë Socialiste, për takimin që Rama zhvilloi dy ditë më parë me kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan, dy kryeministrat vendosën piketat e bashkëpunimit dypalësh. Tema kryesore e bisedës ishte bashkëpunimi reciprok mes dy vendeve, sidomos në fushën e shëndetësisë, energjisë, turizmit dhe infrastrukturës. Bashkëpunimi në NATO ishte një tjetër temë e rëndësishme e bisedës mes dy kryeministrave që marrëdhënien mes dy vendeve e konsideruan strategjike. Në këtë vizitë, kryeministri Rama shoqërohej nga anëtarët e kabinetit të ardhshëm Ditmir Bushati, Ilir Beqaj, Saimir Tahiri dhe Edmond Haxhinasto. Pas takimit kryeministri i zgjedhur, Edi Rama u shpreh se:

“Takimi me kryeministrin Erdogan ishte vazhdimi i një bisede të filluar për të vendosur së bashku piketat e një bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë, që do të jetë një bashkëpunim me një intensitet të panjohur më parë”. Më tej, Rama shprehet se: “Për këtë arsye ne ngritëm paraprakisht një grup pune, ndërsa sot erdhëm me disa nga ministrat që ishin dhe pjesëtarë të grupit të punës për të çuar përpara idetë dhe për të hedhur draftin më elementar të një projekti të përbashkët bashkëpunimi dhe zhvillimi”. “Ne e konsiderojmë Turqinë një partner strategjik dhe kemi vlerësuar se ky partneritet ka një potencial të jashtëzakonshëm e të pashfrytëzuar dhe jemi të bindur se në katër vitet e ardhshme do bëjmë të mundura gjëra, të cilat fatkeqësisht në të shkuarën nuk janë bërë dot të mundura”, u shpreh dje Rama. /Ballkanweb/Lajmeshqip/