Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 12:47

Tiranë – Dy ditë pas akuzave të ish-zv/kryeministrit Ilir Meta ndaj Prokurorisë për shkelje ligjore, ka reaguar sot Prokurorja e Pergjithshme, Ina Rama.

Pas një aktiviteti në fushën e drejtësisë, Kryeprokurorja Rama iu përgjigj interesimit të medias lidhur me çështjen kundër ish-zv/kryeministrit Meta, duke theksuar se prokuroria nuk ka shkelur asnjëherë proceduarat.

Duke i konsideruar akuzat ndaj prokurorisë si retorikë politike, Kryeprokurorja Ina Rama theksoi se “e kemi lënë çështjen të zgjidhet në sallën e gjyqit”.

Dy ditë më parë, në një konferencë shtypi, ish-zv/kryeministri, Ilir Meta, akuzoi institucionin e prokurorisë për shkelje proceduriale e ligjore lidhur me çështjen penale të ngritur ndaj tij për “korrupsion”.

Zoti Meta, duke akuzuar prokurorinë, tha se ajo ka funksionuar si një celulë politike ekstremiste për dëmtimin e tij dhe forcës politike që ai drejton.