Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 14:31

Tiranë-Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot, në nisje të punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, se “kjo është Asambleja e betejës së ardhshme zgjedhore që do t’i përqendrojë forcat e saj tek puna me territorin”.

Asambleja e PS-së u mblodh sot rreth mesditës me anëtarësinë e saj të re të zgjedhur nga Kongresi fundit i kësaj force politike. Në fjalën e tij, Rama propozoi si kryetar të Asamblesë, Gramoz Ruçin, por la të hapur mundësinë edhe për propozime të tjera.

“Për herë të parë do kemi mundësi të shohim një numërim elektronik të votave”, tha ai.Kryesocialisti theksoi së viti i ardhshëm do të jetë viti i shpalosjes së programit të ri të PS-së, i cili duhet të shndërrohet në axhendën e përbashkët të socialistëve.

Duke komentuar zërat për një aleancë PS-LSI, Rama tha se “socialistët janë të mjaftueshëm, duke përjashtuar një aleancë me Ilir Metën”. “Ilir Meta është pjesë e pushtetit, ai e ka bërë zgjedhjen e tij, ne jemi të mjaftueshëm”, komentoi Rama.

Rama siguroi se opozita do të bëjë gjithçka për t’i dhënë fund zgjedhjeve pa standarde.

“Kemi 12 prioritete për të plotësuar për marrjen e statusit kandidat. Ne duhet të garantojmë së pari që zgjedhjet nuk do të vidhen më, për t’iu afruar Europës”, deklaroi Rama.