Lajme Shqip Sunday, 19 February 2012 19:04

Rruga e PS drejt fitores së zgjedhjeve është e hapur. Kështu është shprehur kreu socialist Edi Rama për portalin maqedonas të lajmeve, express.mk.

Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kreu socialist është shprehur se zgjedhjet e 2013 do ti fitojë e majta, por thotë ai me kusht që ato të mos vidhen siç u vodhën në qershor 2009 apo në tetë maj.

Pyetjes së portalit, Express.mk lidhur me Fatos Nanon dhe Ilir Metën, Rama është përgjigjur:

“Ilir Meta s’ka asnjë lidhje me PS-në e me socialistët a progresistët. Ai është ulur në prehrin e Sali Berishës për të përfituar nga pushteti i dalë me vota të vjedhura dhe do të qëndrojë në atë prehër deri kur të largohet bashkë me Sali Berishën nga tryeza e qeverisë së Shqipërisë. Ndërsa Fatos Nano ka shpallur ambicien për të qenë një President mbi palët pasi është distancuar me vullnetin e tij nga Partia Socialiste për arsyet që ka dhënë edhe publikisht. Rruga jonë është e qartë dhe e hapur drejt fitores së zgjedhjeve pavarësisht tradhëtisë së madhe të Ilir Metës ndaj popullit opozitar dhe pavarësisht distancimit të Fatos Nanos nga jeta politike e Partisë Socialiste”, është shprehur ai.

Ndërsa i pyetur për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, Rama thotë se ky bashkim do të realizohet vetëm nën qiellin e Europës së Bashkuar.

“Për ne bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të ndodhë nën qiellin e Europës së Bashkuar. Integrimi i plotë europian i Shqipërisë dhe Kosovës është vetë bashkimi i dy shteteve tona në rrugën e re të Bashkimit Europian”, deklaron ai.