Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 08:30

Tiranë – Kryetari i PS-së Edi Rama ka marrë pjesë në punimet e Këshillit dhe Konventës së Partisë Socialistëve Europiane.

Zyra e shtypit e selisë rozë bëri të ditur se pas takimit me Komisionerin e Zgjerimit Stefan Fyle, në Bruksel, Edi Rama ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me Presidentin e Internacionales Socialiste, njëherësh kreu i PASOK, George Papandreu.

Pas takimit me ish kryeministrin e Greqisë George Papandreu, në cilësinë e kreut të Internacionales Socialiste, Edi Rama deklaroi se “qeveria shqiptare duhet të bëjë transparencën e plotë të të dhënave të ekonomisë së vendit, me qëllim që Shqipëria të mos gjendet para një stuhie”.

Duke pohuar se me Papandreun kishte biseduar mbi këtë çështje Rama e cilësoi me rëndësi që “sot shqiptarët dhe klasa politike në Shqipëri të jenë të gjithë bashkë për të bërë transparencën e të gjitha të dhënave të realitetit ekonomik, përndryshe shumë shpejt do të gjendemi përpara një stuhie që do të jetë e tmerrshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. E në këtë aspekt eksperienca e qeverisë së mëparshme të djathtë greke e cila fshehu të gjitha të dhënat është një eksperiencë që duhet të na mësojë shumë”.

Ndërsa ish kryeministri i vendit fqinjë në prononcim për mediat pas takimit theksoi rëndësinë e transparencës së ekonomisë gjë që nuk ndodhi në vendin e ti.

“Në Greqi ne nuk patëm transparencë për buxhetin dhe as për sektorin publik. Kjo shkaktoi një problem të madh me deficitin, gjë të cilën ne mund ta kishin ndaluar, nëse do të kishim patur transparencë”, theksoi ai.