Lajme Shqip Sunday, 14 July 2013 13:03

Tiranë – “Corriere della Sera” e ka “vizatuar” ndryshe kryeministrin e ri të Shqipërisë. Artisti që do të bëjë politikanin. Që do të ndryshojë Shqipërinë me shpirtin e të bukurës. Në një intervistë telefonike, kryetari i PS që fitoi zgjedhjet, ka besim te rinia shqiptare dhe forca e saj; ashtu sikurse shprehet dhe për ndërtimet pa leje por edhe për “keqkuptimin” që u krijua me konceptin për “vdekjen”, në një intervistë të tij të mëparshme. E pse zgjodhi ngjyrën e Rilindjes? Sepse bashkoi të kuqen me blunë. Ja si rrëfehet në këtë portret kryeministri i ngjyrave.

“Identiteti im si artist është pjesë e imja. Më ka shoqëruar si ministër i Kulturës, më pas si kryetar i Bashkisë së Tiranës, e do të më shoqërojë edhe si kryeministër. Tani është e nevojshme të fillojmë menjëherë një punë të rëndësishme në planin e të bukurës që është edhe resursi maksimal i Shqipërisë sonë”.

Eshtë një piktor në krye të një vendi, që flet në telefon nga Tirana. Një intelektual ka zbarkuar në dhomën e kontrollit. Një kryeministër që, si program qeverisës, individualizon restaurimin e të bukurës, si një objektiv politiko-strategjik.

Edi Rama, i lindur në Tiranë në 4 korrik 1964, sjell fantazinë në pushtet në vendin e Shqiponjave dhe të Skënderbeut. Duke drejtuar një koalicion të qendrës së majtë, arriti t’i marrë disa ditë më parë qeverinë Sali Berishës, i datëlindjes 1944, një ish-mjek i shumë drejtuesve komunistë të kohës së Enver Hoxhës, kryeministër që nga viti 2005 dhe më parë president i Republikës nga 1992 deri në 1997, më të madhin e Partisë Demokratike. Një zëvendësim, jo vetëm gjeneratash, por mbi të gjitha dhe më thellësisht, intelektuale.

Edi Rama është një artist militant. Babai i tij, Kristaqi, ishte skulptor. Dhe ai i ka ndjekur gjurmët, duke studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, ku më pas edhe ka dhënë mësim. Eshtë një eseist: me mikun e tij të vjetër Ardian Klosi, në vitin 1992 shkruajti “Refleksionet” një panflet politik e kulturor plot me sugjerime mbi të ardhmen e vendit. “Refleksionet” ishin një pikë referimi për një gjeneratë. Në mes të viteve ’90, emigroi në Paris dhe atje zhvilloi së bashku me mikun e tij, Anri Sala, personalitetin e tij si piktor. Hapi ekspozita në Nju Jork, Paris, Berlin, San Paolo dhe Brazil. Në 1998 i erdhi emërimi si Ministër i kulturës.

Por pika e kthesës, kryqëzimi në të cilin dy identitetet, i politikanit dhe artisitit u takuan në të njëjtën rrugë, ndodhi në vitin 2000, në të parën, nga tre fushatat pozitive për kryetar bashkie në Tiranë. E fshiu ngjyrën “gri” të komunizmit nga fasadat e pallateve të Tiranës duke i zëvendësuar me një plan ëndërrues ngjyrash: një ballkon me ngjyrë të kuqe, ai afër tij me ngjyrë blu, fasadën me ngjyrë portokalli, kornizat ngjyrë të kaltër (blu) apo jeshile. Pa një dizenj të programuar, duke i lënë hapësirë improvizimit.

Një projekt i aplikuar në gjithë qytetin dhe që vendosi në plan të dytë vizualisht çarjet e rrugëve dhe pluhurin që mbulonte Tiranën. Sërish një përzjerje e dy identiteteve: Anri Sala kthehet në 2003 në eksperimentin me ngjyra dhe urbanistik që u diskutua në Shqipëri, një film i shkurtër prej 15 minutash “Dammi i colori” (piktori Cavaradossi në operën Tosca, akti I) me komentet e Edi Ramës duke ecur me makinë gjatë natës nëpër rrugë e sheshe. Një vepër fituese dhe e vlerësuar, e ekspozuar në Bienalen e Arteve të Venecias në 2003, ajo e Francesco Bonami, dhe më pas që u pranua përgjithmonë në Tate Modern të Londrës.

Një udhëtim në errësirën e Tiranës në zbulimin e këtij instalimi urbanik të madh të ideuar dhe firmuar nga Rama, në mes të Piet Mondrian dhe Alighiero Boetti. Dhe zëri i kryebashkiakut që pëshpërit: “Qyteti kishte vdekur, dukej si një stacion tranziti, një vend ku qëndrohet vetëm për të pritur e për të ikur…duhet të gjenim mënyrën për të ndryshuar Tiranën nga një qytet ku të ka rastisur të lindësh, sepse kështu e desh fati, në një qytet në të cilin vendos të jetosh”. Dhe më pas: “Nuk ka një qytet tjetër evropian në të cilin qytetarët diskutojnë kaq shumë për ngjyrat në rrugë, në bar, në shtëpi”.

Sot Francesco Bonami thotë duke kujtuar atë Bienale: “Edi Rama bëri me artin një strategji politike dhe nga politika bëri art. Për ne italianët, është një personazh shumë i çuditshëm, le të themi i paparashikueshëm. Nga një kaos siç ishte ai në Shqipëri, mund të lindin personazhe kreativë, si ai. Eshtë një bast i madh”. Sot, si kryeministër, Edi Rama rifillon nga ngjyrat. Për fushatën e tij elektorale përdori një violet vjollcë për sfondin e banerave elektoralë, ngjyrë e projektuar për rrugët gjatë natës nëpërmjet flamujve që tundeshin dhe shiritave që kishin nëpër të.

Pse zgjodhët këtë ngjyrë, zoti kryeministër?
“Sepse forcat tona politike kanë qenë gjithmonë të prezantuara nga bluja dhe e kuqja, të kundërtat e njëra tjetrës. Mendova se ajo ngjyrë mund të ketë një kuptim preciz: lidhja themelore e të dy ngjyrave krijon të tretën, pra pajtimin kombëtar. Unë jam një artist viziv, punoj shumë me ngjyrat: kemi parë shumë të bardhë e gri gjatë këtyre viteve”. Polemika e Edi Ramës sa i përket sistemit të pushtetit të Sali Berishës është politik e estetik: “Detyra e kryeministrit do të jetë më komplekse sesa me Tiranën. Them për punën që duhet të bëhet në planin e të bukurës: ai që ka drejtuar Shqipërinë gjatë këtyre viteve e ka dëmtuar territorin, panoramat. Ndryshimi ishte i paimagjinueshëm dhe brutal”.

Duket sikur flet për Italinë, për masakrën e peizazhit tonë të mrekullueshëm, por në fakt jemi në Shqipëri: “Lëvizjet demokrafike në vendin tonë kanë qenë të mëdha. Shumë njerëz kanë lënë fshatrat ruralë më më varfër dhe janë përqëndruar në kryeqytet dhe në qytetet e tjera të mëdha. Kjo solli ngritjen e ndërtesave informale, të privuara nga çdo lloj lidhje me arkitekturën tonë tradicionale, dhe projektimin më të keq të mundshëm. Ndërtesa është një nga levat më të rëndësishme për zhvillimin tonë, por kemi paguar shumë me rritjen e efekteve shkatërruese në mjedis”.

E çfarë mendoni të bëni?
“Do të na duhet të vendosim se ç’do bëjmë. Në disa raste do të gjejmë mënyrën për t’i legalizuar, për t’i sjellë brenda rregullave. Në të tjera raste duhet të prishen. Nuk mund të vazhdohet kështu. Duhet të rikuperojmë kontrollin mbi territorin. Eshtë thelbësore të rigjejmë për shqiptarët sensin e shtetit dhe institucioneve”. Dhe ja ku kthehemi në pikën ku u nisëm: restaurimi i bukurisë si një objektiv politik. Për Edi Ramën nuk do të jetë një debutim: si kryetar i bashkisë së Tiranës dha urdhër për shembjen e më shumë se 500 ndërtesave të paligjshme në të gjithë kryeqytetin. I kthehu jetën zonave të gjelbra dhe parqeve, të zaptuara nga ndërtesa që ngjanin me anije kozmike të filmave për fëmijë (kioskat-bar që në fillim ishin simbol i lirisë nga diktatura komuniste, për rigjetjen e jetës sociale, por më pas u bënë ata diktatorët e jetës së Tiranës). Gjithmonë si kryebashkiak, mbolli rreth 500 mijë e më shumë pemë, dhe ndërhyri në rrugë dhe ndriçimin publik.

Nëse mund të tregoni objektivin e parë të qeverisë?
“Ka pasur vitet e kaluara një rënie të frikshme të cilësisë së bashkëjetesës civile. Shumë korrupsion. Që solli me vete kriminalitetin dhe papunësinë. Pra, varfëri”. I njëjti korrupsion që solli edhe rrënimin urbanistik. Por Edi Rama është optimist: “Vendi ynë është i pasur me energji të pabesueshme. Përshembull me të rinjtë, pavarësisht valëve të mëdha të emigrimit sidomos në Greqi e Itali. Dhe të rinjtë janë të rëndësishëm për të ndryshuar vizionin e gjërave. Për shumë vite, nga ky këndvështrim, vendi jetoi në një kohë të lidhur me atë që realisht në botë.

Politika në fakt, ka arritur në një kohë tjetër më të largët, dhe që nuk kishte fare të bënte me këtë vend. Dhe pastaj, duhet të përballemi me një mal me probleme. Më vjen një i parë në mendje: Shqipëria është vendi i dytë më i pasur për burime ujore në Evropë. Por, 40% e tokave që janë të destinuara për kultivimin bujqësor, pra fertile, vuajnë thatësirën, dhe nuk kanë një sistem ujitjeje. Një problem tjetër? Nuk ka në të gjithë Shqipërinë një lagje të vetme që të ketë drita 24 orë në 24”. Lista e problemeve është e gjatë. A do të mjaftojë një jetë e artistit dhe politikanit? Kush e di.

Në një intervistë për “Courrier des Balkans” pak kohë përpara fitores, ju keni treguar se keni një problem me vdekjen dhe historinë. Në ç’sens?
Edi Rama qesh: “E thashë në një moment konfidencial. Janë dy motivime të mundshme për të hyrë në politikë. E para, është të kërkosh të pasurohesh. E dyta është nevoja për të lënë një gjurmë. Ja, unë kam vërtet nevojë për të lënë një gjurmë, dhe në këtë gjë, mbetem një artist. Sa i përket vdekjes…siç thoshte Indro Montanelli, nuk është vdekja por është “të vdesësh” ajo që më tremb. Eja dhe më tako në Tiranë, nuk e di se kur do të kem kohë për të takuar, ndoshta edhe në mesnatë, por do ta gjej, natën e mirë”.

Një artist po përgatitet për pallatin e pushtetit në Tiranë. Ka ndryshuar ngjyrat e kryeqytetit dhe tani punton mbi të bukurën për të qeverisur. Me paletat e Cavaradossit. /Shqiptarja/Lajmeshqip/