Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 17:15

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mblodhi sot përreth dy orë, anëtarët e sapozgjedhur të Asamblesë Kombëtare nga Kongresi i 5 nëntorit.

Kryetari Rama i uroi të pranishmit për zgjedhjen dhe u bëri një panoramë të situatës politike e ekonomike të vendit, duke u kërkuar angazhim të plotë. Ai tha se, Asambleja e shkuar nuk ishte gjithnjë në lartësinë e detyrës dhe veçanërisht mbulimi i territorit që është një nga funksionet kryesore të asamblesë si forum drejtues i partisë, la jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar, duke e lënë tërë barrën mbi deputetët.

Po ashtu, kryesocialisti kërkoi angazhim të çdo anëtari të Asamblesë Kombëtare në debatin e brendshëm të forumit dhe në debatin publik, në qendër e në lokalitetet e vendit.

Edi Rama i kushtoi një vend të veçantë në fjalën e tij, programit të ri dhe aksionit të parë të madh politik të Asamblesë së re Kombëtare, për diskutimin e gjerë publik të programit në çdo zonë e njësi të banuar të Shqipërisë.

Në fund, kryetari i Partisë Socialiste kërkoi nga anëtarët e sapozgjedhur në Asamblesë Kombëtare t’i dërgojnë drejtëpërdrejtë propozimet e tyre të mundshme për kryesinë e re të partisë, e cila do të zgjidhet në dhjetor.