Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 07:16

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste e njëkohësisht kandidat i opozitës për kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantoi kandidaten e PS-së për njësinë bashkiake nr.1 në kryeqytet, Lindita Nikolla.

Sipas Ramës, Lindita Nikolla është zgjedhja e vetme për njësinë bashkiake nr.1.

“Ajo është e vetmja rrugë për komunitetin e kësaj minibashkie. Votoni për veten, duke votuar për Lindita Nikollën”, u ka bërë thirrje Rama qytetarëve.

“Lindita është Tirana që duam, qytetaria e saj e bën këtë komunitet të ndihet shumë më mirë se më parë. Dera e saj e hapur për këdo, pavarësisht moshës, e bën një investim të sigurtë votën tuaj”, theksoi Rama, duke shtuar se premtimi i PS-së është për më shumë punë për komunitetin.

Në sloganin “E vetmja rrugë”, kandidatja Nikolla ka theksuar faktin se është shumë e lumtur dhe se ndjehet e privilegjuar se puna e saj në minibashkinë numër 1 është vlerësuar dhe se nuk ka kënaqësi më të madhe të rikonfirmohesh në këtë post.

Në garë për njësinë bashkiake numër 1, përballë kandidates së PS-së, Lindita Nikolla, do të jetë kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Agron Seseri.