Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 15:12

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama ripërsëriti të martën akuzat e opozitës për mbajtjen peng nga maxhoranca të mandatit të deputetit të PS-së.

“Mbajtja peng e këtij mandati është pjesë e degradimit të marrëdhënieve të Kuvendit me ligjin, me Kushtetutën. Ky rast përbën një shembull të panjohur më parë të cënimit të sovranitetit të popullit, ku ai përfaqësohet në Kuvend, mbi materialitetin e sovranitetit te popullit që është numri i mandateve të Kuvendit”, tha Rama në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist.

Ai theksoi se mandati i deputetit të opozitës po mbahet peng, ashtu si po mbahen peng dhe një sërë mandatesh të tjera, si ato të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të anëtarëve të bordit të TVSH-së dhe KKRT-së, të cilat sipas tij “drejtohen nga persona pa mandat dhe paguhen nga taksapaguesit, jashtë mandatit të tyre ligjor”.

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, Rama shprehu gadishmërinë e PS-së për nisjen e një debati publik për reformën zgjedhore, në mënyrë që pjesë e saj të jenë dhe propozimet e partive të vogla. Sipas tij sistemi i ri zgjedhor do të përcaktohet në dakordësi me forcat e tjera politike.

“E kemi thënë që në fillim se ne jemi për ta prekur dhe përmirësuar sistemin aktual zgjedhor në dakortësi me të gjitha forcat politike, duke adresuar një shqetësim të shprehur nga të gjitha partitë e vogla dhe duke e konsideruar atë jo një interes të përveçëm të PS-së, por një interes publik”, tha Rama.

Por, vijoi ai, ballafaqimi i këndvështrimeve dhe argumentave për mundësitë e ndryshimit apo përmirësimit të sistemit nuk mund të jetë shkak për të bllokuar reformën  zgjedhore dhe për të lënë pa kryer detyrimet që burojnë nga raporti i OSBE/ODIHR. “Deri tani debati është ndarë me palët veç e veç, por jo duke përfshirë publikun. Jemi gati t`i bashkohemi çdo nisme të forcave të tjera politike. Asnjë palë nuk ka fuqi t`i imponohet tjetrës. Por, rruga e arësyes do bëjë që të gjendet konsensusi”, përfundoi Rama. (LajmeShqip.com)