Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 18:07

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e konsideroi të martën një hap pozitiv arritjen e konsensusit maxhorancë-opozitë për tre nga dhjetë pikat e paktit të propozuar më parë nga PS dhe që lidhen me reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe axhendën e ligjeve me shumicë të cilësuar.

“E konsiderojmë një hap pozitiv arritjen e konsensusit për tre nga dhjetë pikat e paktit “Për Shqipërinë si gjithë Europa”, duke nënvizuar nevojën e një reforme zgjedhore deri në fund të marsit, me një program të hapur e transparent, bazuar në rekomandimet e ODIHR-t”, tha Rama në fjalën e mbajtur në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist.

Një tjetër pikë e paktit të opozitës është reforma parlamentare, e cila, sipas tij, duhet realizuar brenda katër muajsh, bazuar në praktikat e konsoliduara europiane për kthimin e Kuvendit nga një odë e spikeres në vendin ku deputetët të kenë liri dhe të drejta të barabarta.

Sa i takon konsensusit dypalësh për ligjet me 3/5 e votave Rama shprehu angazhimin e PS-ë për të kontribuar  përmes një procesi të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës në hartimin e çdo amendamenti.

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, kryetari i PS-së propozoi ngritjen e një komisioni ad-hoc për shqyrtimin dhe seleksionimin e kandidaturave për institucionin e Avokatit të Popullit. “Ky komision të hartojë një ftesë publike për të gjithë ata persona që e shohin veten të aftë për të kryer këtë funksion të rëndësishëm. Komisioni duhet të përgatisë brenda 30 ditësh një raport dhe një propozim konkret në grupin parlamentar për kandidaturën e Avokatit të Popullit”, tha Rama.

Në fjalën e tij kreu i opozitës deklaroi gjithashtu se PS ka nisur punën për hartimin e një pakete propozimesh për buxhetin e vitit 2012, ndërsa është gati të japë konsensus nëse ato pranohen. Rama gjithashtu i vlerësoi si të njëanshme vendimet e gjykatave, të cilat kanë dënuar me gjoba deputetët e PS-së, të paditur nga deputetët e Partisë Demokratike.