Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 13:42

Kryesocialisti Edi Rama takoi në hotel “Sheraton”me anëtarët e rinj të Asamblesë së Partisë Socialiste.

Mësohet se kryefjala e kryesocialistiy Rama ishte nevoja për angazhimin e secilit prej anëtarëve të asamblesë, për të fituar zgjedhjet e vitit 2013-të. Bëhet fjalë për një takim me dyer të mbyllura.

“Votat ne i kemi, na duhet vetëm të organizohemi për fitore. Do fitojmë duke u organizuar me moral”, ka thënë Rama para tyre. Ndër të tjera lideri i opozitës është shprehur se “Fitorja nuk duhet të vijë me iluzionin se do marrim gjysmën e Saliut”.

LETRA para takimit…

Mësohet se çdo anëtari të Asamblesë të 5 nëntorit i ka shkuar dje një letër nominale nga kreu i PS-së, për t’i falenderuar për kontributin dhe votën që ata dhanë për anëtarët e forumit të lartë të partisë.

Rama shkruan: “Kam kënaqësinë të të uroj për zgjedhjen në Asamblenë Kombëtare me besimin se vetëdija për këtë vlerësim të lartë të atyre që të propozuan e votuan, do të kthehet ne një angazhim të plotë nga ana jote për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme”. Më tej letra vijon: “Ky privilegj që Kongresi të bëri me votën e vet, duke besuar në emrin e kontributet e tua është një detyrim i madh, për të përmbushur të gjitha detyrat që do të burojnë nga vendimmarrjet e asamblesë, për të qenë pranë njerëzve, për të përçuar vlerat e parimet e familjes sonë politike, për të jetësuar një bashkim të madh për një rilindje shqiptare”. Letra mbyllet me fjalët: “Edhe një herë urime dhe fitore për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve kudo ku ndodhen”, si dhe me firmën e kryetarit Edi Rama, poshtë nënshkrimit “Yti gjithmonë, Edi Rama”.