Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 18:24

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi të mërkurën se varfëria në vend llogaritet rreth 30 %, ndërsa akuzoi qeverinë se është e paaftë të ulë varfërinë në vend, si dhe për shpërdorim të ndihmës ekonomike për arsye politike dhe elektorale.

Duke folur në tryezën për programin e PS-së për politikat sociale, kryesocialisti Rama theksoi se “sot zyrtarisht ka një ndihmë ekonomike prej 4 mijë lekë në muaj, që është e pamjaftueshme, por përtej kësaj, qëndron problemi dramatik i shpërdorimit të kësaj ndihme ekonomike për arsye të mirëfillta politike, korrupsionit që e përshkon fund e krye të gjithë procesin e përcaktimit dhe shpërndarjes dhe i qëllimit aspak të fshehur për t’a shfrytëzuar të gjithë atë pjesë të popullsisë që jeton me ndihmën ekonomike si aset elektoral, duke e mbajtur në varfëri për t’a kushtëzuar me varfërinë”.

Gjithashtu Rama theksoi se varfëria në disa zona të caktuar kap edhe shifrën e 50 përqindëshit. “Varfëria reale në zonat e caktuara të Shqipërisë prek dhe kalon 50 %, ndërkohë që në tërësinë e vetë rrotullohet tek 30 %.   

Rama nënvizoi se është e domosdoshme një reformë totale për të ndryshuar gjendjen e varfërisë në vend, ndërsa akuzoi ministrinë e Punës se është kthyer në një konjukturë politike.