Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 15:32

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot se, “krimi në Shqipëri ka kapur shifra alarmante dhe është kthyer në një mankth shoqëror dhe individual për shqiptarët”.

Gjatë tryezës së PS-së për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rama theksoi se, “pa siguri nuk mund të ketë qetësi në jetën e njerëzve, pasi ajo është baza e funksionmit të çdo shoqërie njerëzore, si dhe gur themeli në zhvillimin e të gjitha aspekteve të jetës së qytetëruar, shëndetësisë, edukimit, punësimit e kulturës”.

Sipas tij, të gjitha këto aspekte lidhen me detyrimin moral të çdo qeverie moderne për të garantuar sigurinë shoqërore e individuale dhe në anën tjetër ndihmojnë në mënyrë të pazëvendësueshme në parandalimin e krimit.

“Riorganizimi rrënjësor i polisisë së shtetit dhe i të gjitha forcave të tjera të sigurisë së pasurisë publike mbi bazën e një reforme shumëplanëshe është sot një emergjencë kombëtare”, u shpreh Rama.

Kreu i PS-së theksoi se, “situata aktuale në vend kërkon administrim publik evropian, riorganizim të policisë së shtetit mbi bazën e një reforme shumëplanëshe si reforma redikale e shërbimit shëndetësor”.

Rama tha se, “përgjigja jonë do të jetë frontale.Vënia e Policisë së Shtetit në kushtet e duhura për të luftuar krimin është domosdoshmëri jetike, por jo gjithçka për ta fituar këtë luftë. Zbutja e sjelljes sociale nuk është mision i policisë dhe sigurisë publike, por shoqëror që qeveria e vendit do ta ndajë me komunitetet dhe mediat”. (LajmeShqip.com)