Lajme Shqip Monday, 12 September 2011 14:58

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama paraqiti sot platformën që partia më e madhe e opozitës do të paraqesë në Kuvend, duke theksuar domosdoshmërinë e një reforme urgjente parlamentare.

“Në takimin e sotëm me ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Italisë theksuam domosdoshmërinë e një reforme urgjente parlamentare që të rikthejë konsensusin për funksionimin e jetës parlamentare dhe që t’i japë opozitës në parlament, as më shumë e as më pak, se sa liritë dhe të drejtat e mohuara nga shumica e sotme në Kuvend”, u shpreh kryetari Rama në një konferencë për shtyp, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.

“Në mbledhjen e kësaj jave të kryetarëve të grupeve parlamentare, grupi ynë do të depozitojë draftin e përgatitur të ndryshimeve, që janë kusht për të futur parlamentin në binarët e funksionimit të jetës parlamentare”, theksoi Rama.

Lidhur me qëndrimin e opozitës për votimin e ligjeve që kërkojnë 3/5, ai tha se “ne, nuk do të ngremë në parlament kartonin jeshil, sa për t`i hedhur hi syve Brukselit me arna, të ashtuquajtura ‘reforma integruese”.

“Nëse kërkohet vota jonë për miratimin e një projekti që kërkon 3/5 e votave atë do ta japim vetëm me një platformë të qartë kombëtare dhe transparencë të reformimit të domomosdoshëm të sistemit në fushën e sigurisë, të drejtësisë e me radhë, në fokus të standardeve të integrimit në BE”, vijoi Rama.