Lajme Shqip Friday, 20 September 2013 10:29

Tirane- Kryeministri Edi Rama deklaroi dje, në të parën intervistë si kreu i ekzekutivit se sheh regres në mënyrën se si administrata u shërben njerëzve. Në një intervistë për “Top Channel”, me gazetarin Sokol Balla, Rama foli edhe për heqjen e fotos së presidentit. “Me Presidentin e Republikës do të bëj gjithçka është në dorën time që të ndërtojmë një marrëdhënie shembullore për nga mënyra sesi dy përfaqësues të lartë të dy institucioneve kaq të rëndësishme mund të bashkëpunojnë në respekt të Kushtetutës dhe në interes të qytetarëve e të ligjit, pavarësisht se vijnë nga parti të ndryshme”, tha Rama.
Në fakt desha të pyesja për ‘21 janarin’, sa jemi këtu. E di që intervistat e tilla, zakonisht duhet të nisnin ndryshe, por është një peng i madh ‘21 janari’, besoj.
Është një peng shumë i madh dhe është një arsye shumë e fortë për të mos përsëritur të gjitha ato që i shtynë njerëzit që të vijnë nëpër protesta dhe nga ana tjetër është edhe një arsye shumë e fortë për ta kthyer këtë mandat në mandatin e një qeverisjeje të drejtë.
Zoti kryeministër, ju patët pas fotografisë kolektive me ministrat, një bisedë të shkurtër kokë më kokë me kreun e shtetit, me zotin Nishani. Mund të na thoni diçka më tepër, çfarë biseduat me të?
Sipas protokollit, në këtë ceremoni, pasi bëhet betimi, presidenti tërhiqet me kryeministrin për një kohë të shkurtër dhe këmbejnë, le të themi, disa opinione të para. Këto opinione ishin në vazhdën e atyre opinioneve që unë i kam këmbyer edhe më parë me presidentin, për një bashkëpunim institucional dhe për një marrëdhënie që të tejkalojë të shkuarën në funksion të së ardhmes, duke respektuar Kushtetutën, duke luajtur secili rolin e vet, i patrazuar nga tjetri, siç ka ndodhur fatkeqësisht rëndom në gjithë këto vite dhe duke dhënë një shembull bashkëpunimi për qytetarët.
A duhet të ndjehet presidenti Nishani i rrezikuar potencialisht nga një ‘impeachment’, nga një shkarkim?
Presidenti Nishani nuk ka asnjë arsye të ndjehet i rrezikuar nga asgjë, por i ka të gjitha arsyet që të jetë gardian i Kushtetutës, ashtu sikundër Kushtetua e kërkon. Nga ana tjetër, mund t’ju siguroj që, për sa më takon, epoka e municioneve që mblidheshin në këtë zyrë dhe pastaj mbushnin topat apo armët e luftës politike, për të nisur të shtënat drejt Presidencës ka mbaruar. Në të gjitha rastet, ju nuk do të dëgjoni që unë si kryeministër të sulmoj publikisht presidentin. Sigurisht që mund të ketë momente mosdakordësie, por gjithmonë në rast se do të shprehen, edhe pse do të bëj çmos që këto as të mos shprehen, por t’i shprehen presidentit në rrugë konfidenciale. Nuk do të kenë lidhje fare me çfarë na kanë parë sytë e dëgjuar veshët deri pak kohë më parë.
Ju thoni që nuk do ta sulmoni presidentin Nishani dhe ai nuk ka asnjë arsye, përsa kohë është gardian i Kushtetutës, të ndjehet i rrezikuar nga çdo lloj kërcënimi nga kjo supermazhorancë politike e krijuar në Kuvend. Por a jeni i sigurt që edhe zoti Meta mendon kështu?
Jam absolutisht i sigurt, sepse ne kemi biseduar edhe për këtë temë. Në rolin e kryetarit të Kuvendit, zoti Meta dëshiron të lërë gjurmë duke ndryshuar një vazhdë, që kulturalisht është e papranueshme për një vend evropian dhe demokratik dhe pjesë e këtij ndryshimi është edhe raporti i kryetarit të Kuvendit me Presidentin e Republikës, sepse përsëri ç’nuk na kanë parë sytë e ç’nuk na kanë dëgjuar veshët, për fat të keq.
Zoti Rama ka një debat që ka lindur pak javë më parë. Një nga vendimet e fundit të qeverisë, i dekretuar nga Presidenti i Republikës në cilësinë edhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, për kalimin e një ndërtese, të administruar nga ushtria shqiptare, si seli e re e Partisë Demokratike. A do të ndërmerrni ju ndonjë aksion të mirëfilltë, për të zhvleftësuar këtë vendim, apo do ta pranoni si një gabim e në emër të një klime të re politike do vazhdoni përpara.
Një gjë tjetër që do të ndryshojë është natyra e qeverisjes dhe metoda e qeverisjes së kryeministrit. Unë nuk do të anonçoj vendime që anëtarët e qeverisë do t’i marrin vesh bashkë me televizorin dhe nuk do të deklaroj më parë ç’ka do të bëhet, pa e rakorduar së bashku brenda përbrenda ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’. Jo thjesht midis meje e kryetarit të Kuvendit, që është njëkohësisht edhe partneri strategjik në koalicion, por brenda përfaqësuesve të rëndësishëm të kësaj shumice që nuk janë vetëm ministrat, por janë edhe kryetarët e grupeve, janë edhe deputetët me përvojë. Kështu që ne do të ecim me një metodologji krejt tjetër.
Megjithatë zoti Rama, pyetja që shtrojnë armiqtë tuaj politikë është: a do të rezistojë dot raporti Rama–Meta?
Tani…, njerëzit shkojnë përpara altarit, betohen për dashuri të përjetshme edhe përtej jetës në tokë dhe pastaj gjenden ballë për ballë në një gjyq divorci. Ndërkohë që kur vjen puna tek politika, besoj se dy aleatë që janë divorcuar një herë, kur ribashkohen, nuk ribashkohen për t’u divorcuar për të dytën herë, sepse të mos harrojmë që edhe koha bën të vetën. Ne tanimë kemi në lëkurë shumë nga vragat e një jete politike jo të lehtë dhe besoj që kemi nxjerrë mësime të çmuara, për të qenë në lartësinë e kërkesës së njerëzve ndaj nesh. Besoj!
Megjithatë, duhet thënë që shkëndijat e para u vunë re në fjalimin e zotit Ben Blushi. Vini pas një periudhe jo të lehtë, sidomos pas zgjedhjeve të 2009, pajtimi i bujshëm dhe i heshtur para kongresit të vitit 2011, kur Blushi u rikonfirmua si anëtar i kryesisë, një nga personat që gjatë fushatës ishte pranë jush dhe pastaj jashtë qeverisë. Zoti Rama, a është e vërtetë se ka pasur jo një vendim, por një mendim për të lënë jashtë kabinetit të gjithë ata që kanë punuar me Fatos Nanon?
Nuk do ta shihja dot në mënyrë kaq simpliste, ashtu sikundër nuk shoh shkëndija përtej natyrës dhe profilit të Blushit. Ben Blushi është ai dhe pa ato do të ishte dikush tjetër. Ajo që shoh është një shumicë e re që duhet të jetë në lartësinë e mandatit që ka marrë. Dhe qeveria që unë kam kompozuar në bashkëpunim me aleatin tonë strategjik është një qeveri e kompozuar si një skuadër, për t’iu përgjigjur pritshmërisë së parë të publikut. Fakti që pritshmëria e publikut nuk u zhgënjye, por përkundrazi, u rrit kur u paraqit skuadra qeverisëse, është prova më e mirë.
Në fillim të bisedës më kujtuat takimin që patët me zonjën që ju përgatiste kafetë, në kohën kur ju ishit ministër i Kulturës në qeverinë ‘Nano’ dhe më pas, në qeverinë ‘Majko’. Një bashkëpunëtori juaj në fakt më kujtoi diçka tjetër. Kohën kur ju keni qenë kryetar bashkie dhe kur zoti Nano ju linte, ndoshta edhe qëllimisht, ndoshta edhe jo, të prisnit gjatë para kësaj zyre. Çfarë ndjesie keni sot ndaj zotit Nano, që duhet të jetë, besoj unë, e dyzuar, si personi që në një farë mënyre ju dha mundësinë për të nisur këtë karrierë, e cila kulmon sot në këtë mënyrë, por nga ana tjetër, edhe histori të tjera.
Nuk është këtu, nuk na dëgjon, por e vërteta është se nuk më ka lënë asnjëherë të pres gjatë në atë kohë. Kemi pasur marrëdhënie shumë të mirë, që buronin nga një raport i krijuar jashtë oborrit të Partisë Socialiste dhe nga një këndvështrim për njëri-tjetrin në distancë. Kur u njohëm nga shumë pranë, pastaj u bë e pamundur që të kishim të njëjtin raport. Ai për arsyet e tij, unë për të miat. Unë të miat i kam thënë dhe përtej tyre nuk kam asgjë tjetër. Kam keqardhje për anën njerëzore, sepse gjithmonë kam menduar si ka mundësi që një person, me aq shumë histori në politikë, të mos e vendosë vetë daljen. Nga ana tjetër, është një çështje që…
I jeni mirënjohës atij, qoftë edhe sadopak, që jeni sot në këtë karrige?
Unë kam një këndvështrim disi ndryshe për këtë temën e mirënjohjes, kur vjen puna tek politika. Unë nuk mendoj që, le të themi Saimir Tahiri duhet të më jetë mua mirënjohës, në formën që asnjëherë të mos i shkojë mendja që të mendojë ndryshe nga unë apo qoftë edhe të dalë kundër meje, në qoftë se arsyet pse ai ka ardhur të punojë me mua dhe pse ne kemi një raport pune kaq të mirë. Po përmend Saimirin, sepse ka qenë i pari që ka ardhur me mua nga jashtë në Partinë Socialiste.
Zoti Rama ju jeni ulur në karrigen e zotit Berisha…
Më kujtohet historia e karriges, por karrigia është një vend për t’u ulur, nuk është vetë pushteti, pushteti është gjetkë.
Keni ndonjë ndjenjë revanshi ndaj tij si kundërshtar direkt politik?
Jam i bindur që edhe ai kur është ulur këtu, pasi është çuar që këtu dhe ka dalë kundërshtari historik i tij, nuk ka pasur ndjenjë revanshi ndaj paraardhësit të vet. Ndjenja e revanshit ndaj paraardhësit nuk ekziston.
Besoj që kjo zyrë shumë shpejt do të ndryshojë?
Është e sigurt. Siç ka ndryshuar zyra e qeverisë, e cila ishte e papranueshme estetikisht, por edhe pamja e kushteve, ndërkohë që është një godinë me një të shkuar të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore dhe kjo pjesë e godinës është e konceptuar dhe e ndërtuar mbi bazën e projektit të konceptuar nga një arkitekt shumë i rëndësishëm për Italinë. Ka shumë për të bërë për ta kthyer në identitet, por besoj që kemi ide të qarta si do të bëjmë.
Mendoni për mundësinë e ringritjes së një komunikimi normal me Lulzim Bashën, si kundërshtari i juaj direkt. Të gjithë e dinë pengun e madh të krijuar mes jush për shkak të situatës së zgjedhjeve në Tiranë në 2011…
Kjo nuk është një zgjedhje e imja. Nuk jemi ne që zgjedhim kundërshtarin. Problemi me PD-në sot është që ne nuk e dimë saktësisht akoma se kush është njeriu real me të cilin duhet ndërtuar partneriteti. Për mua s’ka dallim, qoftë Sali Berisha, qoftë Lulzim Basha, qoftë Paloka, për mua nuk ka problem, rëndësi ka që ne të ndërtojmë një partneritet kundërshtues, sepse nuk është e rëndësishme a jemi a s’jemi dakord. Jemi lindur për të mos qenë dakord si forca politike, sepse jemi të ndryshme, edhe pse mund të kemi pika të përbashkëta. E rëndësishme është çfarë cilësie ka bashkëjetesa jonë dhe cilësia e bashkëjetesës varet nga mënyra se si njerëzit trajtojnë mosdakordësinë, sepse kur janë dakord të gjithë janë në rregull.
Në fund një pyetje që lidhet me përjetimin tuaj personal, cilin person që nuk e kishit këtu do të donit që ta kishit në këto momente pranë?
Nuk është këtu, por e kam pranë, është Linda./TCH/BW/