Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 12:04

Tiranë – Kreu i Bashkisë së Tiranës dhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh sot nga Spitali Ushtarak, se “kryeinspektori Ardi Kaja, u përball me dhunën dhe u qëllua teksa kryente detyrën”.

Rama u prononcua për mediat nga Spitali Usharak, ku pa nga afër gjendjen shëndetësore të kryeinspektorit të Ndërtimit të Bashkisë, Ardi Kaja, i cili u plagos mëngjesin e sotëm nga dy persona të maskuar.

Ndërsa theksoi se “Kaja u përball me dhunën dhe u plagos teksa kryente detyrën”, Rama shtoi se “Partia Socialiste nuk do të vendosë asnjë flamur atje ku nuk lejohet”, pasi sipas tij, “qytetarët eTianës nuk e duan ndotjen”.

Duke lidhur ngjarjen e sotme me incidentin e ndodhur një ditë më parë në njësinë bashkiake Nr.5 në Tiranë, Rama tha se “flamujt e vendosur nga forcat politike nuk shihen në asnjë vend të botës”.

Në këtë kontekst, ai shtoi se “pavarësisht se PS nuk disponon mjetet e pallogaritshme financiare, që i ka shteti i korrupsionit, ne jo vetëm që nuk kemi flamuj për t’i vendosur, por nuk do të vendosim asnjë portret atje ku nuk lejohen”. Ai përfundoi duke u shprehur se “qytetarët e Tiranës nuk ja kanë borxh asnjë partie”.

Ditën e djelë, në njësinë  bashkiake Nr. 5, pranë Stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, Policia Bashkiake tentoi të hiqte  flamujt e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila është pjesë e koalicionit “Alenca për qytetarin”, veprim i cili është kundërshtuar nga simpatizantë të LSI-së.

Kryeinspektori i Policisë Ndërtimore në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja u qëllua me armë zjarri mëngjesin e së hënës nga dy persona të maskuar të hipur mbi motor, teksa udhëtonte me një makinë pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në afërsi të Bashkisë.

Forca të shumta të Policisë të mbërritura në vedngjarje kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, si dhe arrestimin e autorëve.

Mësohet se kryeinspektori Kaja ndodhet  në Spitalin Ushtarak nën kujdesin e mjekëve për shkak të plagëve që  ka marrë në këmbë. Mbi gjendjen e tij shëndetësore, burime zyrtare nga Spitali Ushtarak thanë për ATSH-në, se “Kaja është plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”.