Lajme Shqip Sunday, 20 November 2011 12:15

Nga Edi Rama, www.edirama.al

Kemi hapur një proces të pandodhur më parë për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të Popullit. Tre deputetë, Eglantina Gjermeni, Besnik Bare, Astrit Beci, dy anëtarë të Asamblesë sonë të re Kombëtare, Mimoza Hafizi e Gëzim Tushi,  të pestë intelektualisht të spikatur e qytetarisht të lëvdueshëm, si edhe dy personalitete të larta në fushën e të drejtës Luan Omari dhe Vangjel Kosta, të cilët u ftuan të përfaqësojnë Shoqërinë Civile, përbëjnë Komisionin Përzgjedhës ad hoc për kandidaturën që Partia Socialiste do të mbështesë si Avokat të ri të Popullit.

Çdo shqiptar a shqiptare që përmbush kriteret kushtetuese e ligjore dhe ka ambicien të kryejë këtë mision është i ftuar të hyjë në procesin e organizuar prej nesh. Shtatë anëtarët e komisionit, me formimin intelektual dhe integritetin e tyre moral, janë garanci për një proces të bazuar mbi cilësitë e meritat e çdo kandidati apo kandidateje. Pavarësisht moshës, gjinisë, fesë, krahinës apo bindjeve politike. Ne duam një Avokat të Popullit jo një avokat të Partisë Socialiste. Dhe do të bëjmë më të mirën për ta bërë këtë proces me të gjithë seriozitetin, dinjitetin e integritetin që duam t’i japim jo thjesht institucionit të Avokatit të Popullit sot, po vetë shtetit nesër.

Ky proces është një moment tejet i rëndësishëm sepse shënon pikën e kthesës së nënvizuar në programin tonë për një rilindje shqiptare, përkatësisht në kapitullin “Rivendosje e Demokracisë”, ku flitet qartë për një administrim publik europian të shtetit e të punëve të shtetit tonë. Ne besojmë se pa një administratë normale Shqipëria s’mund të bëhet kurrë një vend normal dhe shteti s’mund të sillet kurrë normalisht me qytetarin e me vendin si pasuri e përbashkët. Ne jemi të bindur se ndryshimi radikal që duam të sjellim për një Shqipëri normale, kalon përmes vendosjes së një kufiri të qartë mes shtetit e partisë në pushtet. Ne jemi të gatshëm ta marrim përsipër këtë detyrë tejet të vështirë për realitetin shqiptar, duke u bërë sot zëdhënësit e nesër jetësuesit e këtij ndryshimi themelor si edhe garantët e integritetit kushtetues e profesional të institucioneve shqiptare dhe të administratës publike.

Arrestimi i një bande mirëfilli partiake në Ministrinë e Ekonomisë, e cila është kthyer ashtu si të gjitha ministritë e vendit tonë sot në një degë partie për qëllime fitimi, s’është veçse një shfaqje banale e asaj që ndodh përditë e përditë në dëm të këtij vendi e të çdo qytetari. Qeveria e kthyer në një ndërmarrje aksionarësh politikë për qëllime fitimi, në tryezën e së cilës shqyhen çdo javë copa Shqipërie, është shëmbëlltyra televizive e mijëra “qeverive” hije, banda partiake të krijuara në çdo ministri, agjenci, drejtori, inspektoriat, strukturë shtetërore të madhe a të vogël, në Tiranë a në qarqe, të cilat përlajnë çdo javë “çikat e thërrimet” e tyre. Vjedhja është bërë normë pune në shtetin e marrë peng brenda këtij sistemi të banditizuar nga maja në bazën e piramidës shtetërore. Procesi qeverisës është katandisur në një proces çmësimor për shqiptarët dhe tejet dërrmues, moralisht e fizikisht, për Shqipërinë.

Rimëkëmbja duhet të nisë pikërisht nga rivendosja e moralit publik në themelin e procesit qeverisës; nga mbushja e boshllëkut të sotëm moral të këtij procesi me një frymë të re respekti për parimet, vlerat, cilësitë e një shteti europian; nga rindërtimi i besimit të shkatërruar tek konkurenca e lirë për të gjithë si e vetmja rrugë zhvillimi njerëzor, demokratik, ekonomik, dhe tek merita e çdokujt, si njësia më e besueshme matëse në ndërtimin e një shoqërie  të hapur e shteti normal.

Procesi i sapopëruruar prej nesh për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të ri të Popullit është një sinjal që duam t’ia çojmë të gjithë shoqërisë. Duke i thënë çdo qytetari ja rruga jonë, e vetmja rrugë që Shqipëria të shpëtojë nga kthetrat e dallkaukëve e injorantëve që bubërrojnë brenda sistemit të sotëm të banditizimit të procesit qeverisës, nën shembullin ulëritës të atyre në majë që çdo ditë japin në televizor shfaqjen  e neveritshme të banalitetit të imponuar të së keqes.

Uroj shumë që ky proces i parë në llojin e vet në këta njëzetë vjet, të dalë me suksesin që presim dhe të na shërbejë si një eksperiment i dalë mbarë, për punën e nisur në detajimin e aspektit të programit të ri që ka të bëjë me modelimin e një procesi absolutisht novator rekrutimesh në funksionet publike të Shqipërisë. Dhe përfitoj nga rasti ta përsëris edhe në këto rradhë apelin tim për këdo që e sheh veten si një kandidaturë të mundshme për Avokatin e ri të Popullit: Mos ngurroni të provoni veten Tuaj në një proces përzgjedhjeje ku ne kemi vetëm një interes e qëllim: Të gjejmë kandidatin apo kandidaten më të përshtatshme. Për një institucion të shtetit shqiptar dhe në asnjë mënyrë për një karrige për partinë tonë, siç bën Saliu me çdo karrige të paguar nga taksat e gjithë qytetarëve ku ulët të ndenjurat e tribusë së tij.

Rilindja Shqiptare që ëndërrojmë, shpresojmë dhe duam të bëjmë realitet bashkë me çdo shqiptar të etur për ndryshim, duke rimëkëmbur ekonominë, ripërtërirë shoqërinë, rivendosur demokracinë, ribashkuar Shqipërinë me Europën, mund të ndodhë vetëm nëse një parti e madhe – Partia Socialiste është e vetmja shpresë e mbetur sot për këtë – bëhet instrument në duart e çdokujt që ëndërron, shpreson dhe do të njëjtën gjë që duam ne. Pavarësisht nëse mendon ose jo si ne për shumëçka. Pavarësisht nëse e quan veten të majtë apo të djathtë. Pavarësisht nëse është nga veriu a jugu.

Cilido që dëshiron t’i shërbejë Shqipërisë që ne duam të ndryshojmë, për të bërë një Shqipëri më të lirë, më të barabartë, më vëllazërore, një shtet shqiptar serioz, funksional, të respektuar këtu e në Europë, do të ketë të gjithë respektin, vëmendjen, përkushtimin tonë. Me ne askush s’do ndjehet i kërcënuar pse s’është ndër “tanët”. Askush s’do ndjehet i privuar në liri e të drejta pse s’është “i yni”. Askush s’do ndjehet i shpërfillur në vlerat e meritat e veta pse s’bën pjesë në “rreshtin tonë”. Ky nuk është një premtim. Ky është vizioni ynë. Ky është misioni ynë. Ky është një aspekt kyç i programit tonë për një rilindje shqiptare.