Lajme Shqip Friday, 25 October 2013 14:18

Tiranë- Kryeministri shqiptar Edi Rama ka komentuar zërat kritikë lidhur me vizitën e fundit të tij bashkë me kryeministrin turk Erdogan në Kosovë.

 Në një intervistë në “Tonight” në Ora News, Rama i pyetur lidhur me kritikat se gjoja fotografimi me Erdogan është diçka e rrezikshme, ka theksuar:

“Këta janë idiotë. Turqia është një anëtar i NATO-s. Kryeministri turk është një mbështetës i shqiptarëve, ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën ata që këta vazhdojnë të flasin nuk do ta bëjnë edhe po të kishin 7 jetë. Është Kryeministri që lobon sot e gjithë ditën për njohje të reja për Kosovën. Në lidhje me fotografinë jam i lumtur që kam qenë i ftuar në shtëpinë e një miku të rinisë së këtij kryeministri. Ne e kemi shpallur në programin tonë me kohë Turqinë si partnere strategjike”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, kryeministri Erdogan eshte partner dhe aleat i SHBA dhe vendeve me te fuqishme te BE, ne funksion te asaj qe Turqia sot përfaqëson, citon ina.

“ Kjo është një miqësi që ne shqiptarët jemi të interesuar ta ushqejmë se jo vetëm nuk kemi parë keq, por kemi parë mirë”, ka theksuar kryeministri shqiptar.