Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 12:35

Tiranë-Kryetari socialist, Edi Rama i ka lënë dje rrugën e hapur paraardhësit të tij, ish kreut të PS-së, Fatos Nano për tu bërë president.

Në një intervistë për TV Klan, Rama është shprehur dje se “Fatos Nano nuk është kandidat i Partisë Socialiste, ai është një figurë politike që ka shfaqur ambicien për të qenë një kandidat mbi palët”.

Sipas tij, ka kohë që është distancuar nga PS, që nuk e përfaqëson atë, pasi është në kërkim të një profili që ka zgjedhur dhe tentuar ta mishërojë.

“Se sa e ka mishëruar kjo është çështje gjykimi nga palët, por që sot nuk është dita e gjykimit”, – është shprehur Rama në këtë intervistë.

I pyetur nëse do ta jepte dorëheqjen në rast se PS humbet zgjedhjet e vitit 2013, Rama nuk ka kthyer një përgjigje direkte.

“Jam i bindur që qeveria dhe kryeministri e kanë të pamundur që të marrin një mandat të tretë për një mijë e një arsye që lidhen me gjendjen e vendit, me atë ç’ka jetojnë familjet shqiptare dhe për shqiptarët ka kohë që ka ardhur koha për ndryshim”.