Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 19:30

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, priti sot në një takim delegacionin e Parlamentit Evropian të komitetit të përbashkët parlamentar të stabilizim asocimit Shqipëri – BE, të kryesuar nga Eduard Kukan.

Zyra e shtypit e PS-së bëri të ditur se gjatë këtij takimi u shkëmbyen pikëpamje në lidhje me ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, parë nga këndvështrimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të Komisionit Evropian, konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe rezolutave të Parlamentit Evropian mbi Shqipërinë.

Zoti Kukan, në emër të delegacionit të Parlamentit Evropian, përshëndeti hapat e ndërmarrë nga Partia Socialiste në drejtim të fillimit të punës për reformën zgjedhore, reformën parlamentare, shqyrtimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar si edhe procesin e nisur tashmë për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Kryetari i Partisë Socialiste garantoi delegacionin e Parlamentit Evropian mbi vullnetin e palëkundur të opozitës shqiptare për të ushtruar të gjithë përgjegjësitë në funksion të përmbushjes së 12 prioriteteve të identifikuara nga Bashkimi Evropian në lidhje me aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në BE.

Anëtarët e delegacionit, njëkohësisht pjesëtarë të grupit parlamentar të partive popullore në Parlamentin Evropian, shprehën keqardhjen e tyre dhe u distancuan nga deklaratat e fundit të kreut të grupit parlamentar EPP, Joseph Daul, në adresë të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe opozitës shqiptare.

Gjatë takimit, u shkëmbyen pikëpamje edhe në lidhje me çështje të tjera problematike për Shqipërinë si manipulimet e vëna re gjatë procesit të fundit zgjedhor, nivelin e lartë të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, reformën në drejtësi etj.