Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 14:05

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi të martën nga Kolegji Zgjedhor që të respektojë kushtetutën dhe standardet në shqyrtimin e ankimimit të socialistëve për tabelat e rezultateve për bashkinë Tiranë.

“Ne presim nga Kolegji që të mos shkelë ligjin dhe të mos mbyllë sytë dhe veshët para fakteve e shifrave të një kanibalizmi elektoral që e kanë parë të gjithë”, u shpreh Rama në një deklaratë për mediat, një ditë para shqyrtimit të ankimimit të PS-së.

“Kërkojmë që gjykatësit e Kolegjit të respektojnë Kushtetutën dhe të mos ligjërojnë në asnjë mënyrë rezultatin antikushtetues të KQZ-së, të respektojnë standardet ndërkombëtare të interpretuara më së mirë nga Komisioni i Venecias dhe të mos shpikin asnjë standard të amoralitetit ekstraligjor, që sundon në shtetin e kapur prej Saliut”, tha Rama.

Ai kujtoi se ishte pikërisht ky Kolegj, që në zgjedhjet e 2009-s vendosi precedentë duke shpallur të pavlefshëm procesin në njësitë me probleme të njëjta si në Tiranë, ku numri i votuesve nuk përputhej me numrin e votave.

Kreu i PS-së ripërsëriti deklaratën e pak ditëve më parë, duke theksuar se socialistët janë të gatshëm të rikthehen para popullit të Tiranës me një rigykim përmes votës, pasi siç tha ai më i rëndësishëm se emri i kryetarit të bashkisë së kryeqytetit është zgjidhja e krizës zgjedhore.