Lajme Shqip Monday, 19 November 2012 15:22

TIRANE – Në përpjekje për të tejkaluar ngërçin e krijuar për votimin e 3 ligjeve të kërkuara nga KE-ja, si kusht që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, Kryeministri Berisha dhe kryetari i opozitës, Edi Rama, bënë sot ftesa të ndërsjella për zhvillimin e një takimi. Ka qenë fillimisht shefi i qeverisë ai që e ftoi kryetarin e opozitës për një takim, brenda ditës së sotme, për të diskutuar në lidhje me mundësitë që do të çonin në votimin e 3 ligjeve brenda afateve. Pak minuta më vonë, kryetari i PS-së, propozoi që takimi të zhvillohet ditën e martë në orën 10:00, me praninë e të gjitha forcave parlamentare dhe përpara mediave.
Në mbledhjen e grupit të PD-së, Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm të takohet me Ramën, sot ose nesër pasdite, por jo në orën 10:00 për shkak të axhendës së tij të ngjeshur. Megjithatë, kryeministri tha se e sheh si më të arsyeshme që takimi të zhvillohet sot dhe nesër të mblidhet Kuvendi, për të votuar në limitet e afatit 3 ligjet e domosdoshme për statusin kandidat. 

BERISHA TAKOHEMI SOT, NESER MBLEDHIM KUVENDIN
Ora: 14:20 –
Në mbledhjen e grupit të PD-së, Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm të takohet me kryetarin e PS-së, sot deri në orën 24:00 ose nesër pasdite, por jo në orën 10:00 për shkak të axhendës së tij të ngjeshur. Megjithatë kryeministri tha se e sheh si më të arsyeshme që takimi të zhvillohet sot dhe nesër të mblidhet Kuvendi, për të votuar në limitet e afatit 3 ligjet e domosdoshme për statusin kandidat.

“Rama ka dhënë një përgjigje se fton nesër në orën 10:00 në ‘Sheraton’, por nga ana tjetër shprehet i gatshëm që të pranojë sugjerimet e mija, duhet t’i kërkoj urgjentisht që të takohemi sonte në çdo kohë, ose nesër pasdite pasi axhenda ime nesër në orën 10 është jashtë mundësive të mija për ta modifikuar. Shqiptarët e mirëpresin shumë një tryezë, por larg një tryeze bllokuese”,- u shpreh Berisha. 

Kryeministri bëri të ditur se në tryezë do të paraqitet me dy bashkëpunëtorë, por theksoi se nuk e kushtëzon kreun e PS-së që të bëjë të njëjtën gjë. 

“Jam i hapur, do të kërkoj që bashkëpunëtorët e zotit Rama dhe bashkëpunëtorët e mi të ulen të qartësojnë axhendën. Mire do ishte të mblidheshim sot dhe nesër të mbledhim Parlamentin dhe këto ligje të votoheshin”,- përfundoi Berisha.

RAMA: TAKOHEMI NESËR NË 10:00, ME PRANINË E TË GJITHA FORCAVE PARLAMENTARE
Ora: 12:50 – Kryetari i Partisë Socialiste fton Kryeministrin Berisha për një takim, me praninë e të gjitha forcave parlamentare, paraditen e së martës në Hotel “Sheraton”. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, kreu i Partisë Socialiste propozon që takimi të zhvillohet edhe me praninë e medias.

“Pas tre apelesh të përsëritur publikë të kryetarit të opozitës në adresë të shumicës parlamentare dhe pas një sërë thirrjesh televizive të kryeministrit, ku ky i fundit ka shprehur gatishmërinë “për t’u takuar në çdo orë dhe vend për të çuar përpara integrimin” kryesocialisti Edi Rama fton publikisht për takim qysh nesër kryetarin e Partisë Demokratike. Kryetari i opozitës propozon që takimi të zhvillohet nesër paradite në orën 10.00 në mjediset e Hotel “Sheratonit”, edhe me praninë e të gjitha forcave parlamentare. Po ashtu, Edi Rama propozon që takimi të zhvillohet edhe me praninë e medias, për të garantuar transparencën optimale me publikun të të gjitha kontributeve në këtë tryezë të partive parlamentare për procesin e integrimit”,- thuhet në njoftim.

Megjithatë, kryetari i Partisë Socialiste thekson se mbetet i hapur të mirëpresë e të pranojë pa kushte çdo propozim të ndryshëm të kryeministrit për orën, vendin dhe formatin e takimit.

BERISHA-RAMES: TAKOHEMI SOT, JAM GATI NE ÇDO MOMENT
Ora:11:00-
Në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha përsëriti apelin në drejtim të kryetarit të opozitës, Edi Rama, për arritjen e një konsensusi për votimin e 3 ligjeve të nevojshme, në mënyrë që vendi të marrë statusin kandidat në dhjetor.

Shefi i qeverisë u shpreh i gatshëm të takohet me kryetarin e PS-së, deri në orën 24:00 të ditës së sotme, për shqyrtimin e të gjitha propozimeve dhe amendamenteve, që ligjet të votohen në kohë.

“Shfrytëzoj mbledhjen t’i bëj apel zotit Rama që në një akt përgjegjësie e të lartë të frymëzuar nga përpjekjet e shqiptarëve që sollën këtë vend në 100-vjetorin e Pavarësisë, si vend dhe komb i lirë të takohemi në çdo kohë dhe kudo që të dëshirojë për të diskutuar për tre ligjet që kërkon KE. Unë jam disponibël deri në orën 24.00 të kësaj dite të takohemi, të vendosim të shqyrtojmë në çdo nivel që dëshiron ai, çdo propozim, çdo amendament të lidhur me ligjet që duhet t’i votojmë në Kuvend. Gjykoj se këtë veprim e presin të gjithë shqiptarët e të gjithë brezave sot”,- tha Berisha.

Ndërsa ftoi Ramën të përmbushë premtimin e tij për votimin e të gjitha ligjeve të integrimit, kryeministri tha se “historia nuk ndërtohet me bllokime apo inate”. “Nuk mbrohen interesat e rëndësishme personale të qytetarëve shqiptarë dhe ato kombëtare, duke bllokuar votimin e 3 ligjeve për shkakun e vetëm se beson se kështu mund të dëmtohet kundërshtari i tij politik”,- vijoi Berisha.

Më tej shefi i qeverisë theksoi se çështja e Qarkut të Fierit nuk mund të lidhet me interesin jetik të qytetarëve, siç është integrimi në BE. Kryeministri shprehu bindjen se në çdo rast shqiptarët do të zgjidhnin integrimin dhe do të kërkonin votimin e 3 ligjeve të kërkuara. 

“Nëse në Fier dhe në Shqipëri do bënin një referendum për këto ligje, kam bindjen më të thellë se të paktën 80 për qind të qytetarëve të këtij vendi do votonin për hir të integrimit. Të jemi realist, status do të thotë hapje dyersh për vendin, për projekte të mëdha që tejkalojnë shumë herë fondet e deritanishme, sigurisht mbi bazën e projekteve, përgatitjeve. Shanset dhe mundësitë janë shumë më të mëdha se sa me bllokimin e tyre”, – tha kryeministri.

Berisha theksoi se mazhoranca ka paraqitur një opsion për zgjidhjen e çështjës së Fierit, ndërsa sipas tij, Rama nuk ka ofruar asnjë zgjidhje për tejkalimin e këtij ngërçi.

“Nëse do zgjidhje politike atëherë bëjmë mocion, po do zgjidhje gjyqësore, të presë derisa të gjykohet në themel çështja. Uroj që zoti Rama ta mirëkuptojë këtë ftesë të sinqertë që i bej dhe absolutisht do fitojë nga kjo çdo qytetar shqiptar. Do konsolidohet pozita e çdo qytetari shqiptar si qytetar i ardhshëm evropian”,- u shpreh kryeministri.(B.W)