Lajme Shqip Monday, 07 October 2013 12:45

Tiranë- Kryeministri Edi Rama foli sot për emisionin e mëngjesit në Vizion Plus.

I pyetur se cili ishte shqetësimi i tij i parë, Rama tha: “Sa shpejt kalon koha”.

Ndërsa i pyetur se cila është frika e madhe e tij, Rama tha:“Të papriturat dhe ato çka mund të gjej përpara nga vështirësitë ekonomike, janë të vetmet gjëra që i druhem. Kjo për shkak se mund të gjendemi në ndonjë emergjencë kombëtare dhe frika ka një emërues, që mos gjendemi të papërgatitur në këto situata”.

Duke folur për integrimin e vendit, Rama nuk dha një përgjigje të saktë lidhur me datën për marrjen e statusit në BE.

“Statusi nuk është çështje date, rruga e integrimit nuk është rrugë që ne të shkojmë drejt Brukselit, por një rrugë brenda nesh, të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Sfida është zgjimi i një shteti krejtësisht të përgjumur”, tha kryeministri.

Ndërkohë nënkryetarja e grupit parlamentar të PS, Vasilika Hysi, në një intervistë për Shekullin, akuzon qeverisjen e djathtë se ka shkatërruar administratën publike.

“Nëse ka një forcë politikë që ka shkatërruar administratën publike në këto 8 vjet, është opozita e sotme. Mijëra punonjës të administratës publike janë dëbuar, pa motivacion, nga institucione qendrore dhe vendore, sapo Partia Demokratike erdhi në pushtet në 2005 dhe me pas në 2009, madje edhe pas humbjes së thellë të 23 qershorit. Sesa dëm njerëzor dhe financiar ka shkaktuar kjo opozitë, ju lutem shihni vendimet gjyqësore të dhëna, dëmshpërblimet e paguara dhe të papaguara për largimet e padrejta të njerëzve nga puna. Akuzat e opozitës së sotme janë një alibi ndaj luftës pa kompromis që mazhoranca do bëjë kundër korrupsionit në administratën publike,” tha Hysi.

E pyetur në lidhje me ligjin e ri, ku numri i nëpunësve civilë shtohet nga 6 mijë në 20 mijë, Hysi tha se qeveria e re nuk kishte parashikuar në buxhet asnjë fond për zbatimin e këtij ligji. Madje Hysi thotë se aktualisht arka e shtetit është bosh dhe nuk ka paga as për administratën ekzistuese.

“Ky është një nga problemet kryesore që e bën ligjin e ri të pazbatueshëm për momentin, përveç vakumit ligjor që do të krijohej me shfuqizimi e ligjit të vjetër dhe mungesën e akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin e ligjit të ri. Në buxhetin e viti 2013, Qeveria e kaluar nuk kishte parashikuar buxhetin për zbatimin e ligjit të ri, madje ka boshatisur arkën e shtetit edhe për pagesën e administratës ekzistuese. Që nga miratimi i ligjit, asnjë akt nënligjor që do të rregullonte emërimet, lëvizjet dhe promovimet e administratës publike nuk është përgatitur”./tema/