Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 16:00

Diku nga fundi i gushtit 2006, në tetor, kur do të mbaheshin zgjedhjet vendore, më erdhi një sms kërcënuese, që ndryshe nga plot të tilla që kanë hyrë në celularin tim gjatë gjithë viteve në arenë, më bëri përshtypje sepse kishte një përmbajtje disi tjetër, një lloj presioni mafioz, ku më thuhej në thelb se duhej të negocioja për materiale komprometuese, përmbajtjen e saktë nuk e kam parasysh dhe s’i ruaj mesazhet në telefon.

I rashë mbrapsht numrit dhe ishte i mbyllur. E njëjta gjë u përsërit ndoca ditë më pas, duke më thënë pak a shumë po të mos nxitoja të paguaja, duhet ta harroja votën e qytetarëve të Tiranës, pasi të dilnin në shesh ato materiale. I rashë përsëri numrit, nuk ishte i njëjtë i ditës së parë dhe, nga ana tjetër, m’u përgjigj një zë i zvargur burri, të cilin s’e lashë të fliste, por i thash më ton të fortë se mua s’kishte material në botë që më merrte peng dhe, në vend të guxonte të më bezdiste prapë, këtë, ç’është e vërteta, e nënvizova me shumë më tepër brutalitet se ç’shpreh këtu me fjalën bezdi, duhej t’i nxirrte ato që kishte një orë e më parë, mu te sheshi “Skënderbej” po të donte.

“Madje, nëse nuk gjen dot një stendë, – i thashë, – ta jap unë bashkë me vendin para Bashkisë që do ta paguaj vetë dhe t’i varësh e t’i shohin të gjithë sa ditë të duash mor maskara!”. As e kisha idenë se çfarë mund të ishin duke sajuar, po ndieja diçka, intuita më thoshte se diç kishte, pavarësisht se s’kisha as merakun më të vogël për çfarëdo qoftë mund të lidhej me punën dhe me mua personalisht, sepse në gjithçka kam bërë në jetë deri më sot, mund t’i kem hyrë të tjerëve në hak pa dashje, ndodh në nxehje e sipër, ndodh në punë e sipër, ndodh edhe pa e kuptuar, s’ke ç’i bën, po asnjëherë nuk i kam bërë keq kujtdo qoftë duke u nisur me qëllimin për t’i bërë keq.

Punës jo e jo. Megjithatë, një shije e keqe më mbeti kur, pa dashur ta dëgjoja atë horr, kapa teksa flisja me zë të ngritur fort se “do të patakseshin gjithë gratë e botës me mua” kur të dilnin ato materiale, dhe nisi të më bridhte mendja nja dy ditë për të gjetur ndonjë kuptim të atyre fjalëve kërcënuese, duke u munduar të rrëmoja në kohët e shkuara të jetës sime prej shpirtit të lirë e njeriu të dhënë pas transgresioneve e provokacioneve, sidomos në Akademinë e Arteve, ku thyerja e tabuve në art dhe në jetën sociale ka qenë prirja ime natyrale që student dhe deri ditën që u largova nga ai mjedis.
Akademia ishte në të ritë e mi vendi i ngasjeve të lirisë së brendshme që kërkonte shtigje për të dalë në mexhlisin e rrethuar me murin hijerëndë të tabuve të ideologjisë së ngritur para syve tanë përmes metodës së Realizmit Socialist dhe s’qe e rastit që aty u shfaqën format e para të rebelimit ndaj regjimit komunist, fillimisht në trajtën e tentativave për ta kapërcyer atë mur duke hapur kanale komunikimi me botën matanë nëpërmjet thyerjes së kornizës së hekurt të metodës, futjes nëpër klasa të librave të artit të ndaluar botëror e diskutimeve të zjarrta që shkrinin telat gjembaçë të parimeve stërkufizuese socrealiste, zhveshjes së modeleve nudo që pozonin me rroba banje qysh nga flama e Plenumit IV, shoqërizmit antikomformist nëpër party me muzikë të degjeneruar e të folura haptazi antiparti, e sidomos nxjerrjes së pakënaqësisë me provokime të pareshtura në çdo orë mësimi, nëpër takime e mbledhje kolektivi që në fund u kthyen në vatra proteste, për të vijuar pas shembjes së murit me “Refleksionet” e famshme e me krijimin e një jete artistike sociale krejt “të shthurur” në hapësirën e ethshme të lirisë së fituar më në fund, shpirtërisht, mendërisht, trupërisht.

E asgjë që mund të patakte, megjithatë, gratë e botës në Shqipërinë e vitit 2006 s’më ra ndër mend, derisa një ditë, kohë më vonë, po para zgjedhjeve gjithsesi, ato zgjedhje u shtynë në shkurt për shkak se s’pranuam të hynim në to pa u zgjedhur problemi i madh i certifikatave të falsifikueshme, m’u kujtuan fotografitë e bëra nudo në një plazh natyristësh në Francë.

I rrëmujshëm siç kam qenë gjithnjë me sendet e mia, rrobat, pikturat, librat, korrespondencat, në kushtet e një mënyre jetese pa shtëpi fikse, më pëlqente pa masë të jetoja me idenë se shtëpia ime ishte trupi im dhe, qyshse e lashë vatrën prindërore për të qenë plotësisht i lirë në orare e në lëvizje, s’ka asnjë vend ku të mos kem lënë pas sende të miat, qoftë këtu dhe qoftë vende jashtë shtetit ku kam bredhur nëpër Europë për të jetuar lirinë, pavarësisht se kam qëndruar pak javë, disa muaj, ose disa vjet, e kësisoj jo vetëm s’i gjeta ato fotografi aty ku rrija, po s’e gjeja dot as ku mund t’i kisha lënë. Shumë më vonë jam kujtuar se i kisha harruar në një bagazh makine, brenda një kutie, dhe makina që kishte vazhduar jetën e vet pa mua ka rënë më tutje në duar që pastaj i kanë kaluar te shantazhuesit. E kam dhe një ide se si është përzier në këtë histori një politikan shumë i interesuar për humbjen time në ato zgjedhje, por në mungesë provash kjo mbetet vetëm hamendje pa të drejtë publikimi.

Megjithatë, ideja se mund të bëhej fjalë pikërisht për ato foto nuk më tronditi, sigurisht s’më vinte aspak mirë, se s’kisha dalë lakuriq në plazh për të më parë tërë Shqipëria cullak në fotografi, por thellë-thellë ndieja se s’kishte pse shqiptarët të patakseshin nga diçka krejt e pafajshme, plotësisht private, pa asnjë lidhje kohore apo përmbajtësore me detyrën për të cilën më kishin votuar e as me kohën e ushtrimit të funksioneve të mia publike, kur, me të dashurën time, njerëz të lirë të botës së lirë, kishim shkuar për pushime në një nga plot fshatrat turistike të Europës, ku bëhet plazh nudo e ku një gjë e tillë jo vetëm s’çudit kënd, por ku je aty të bën përshtypje pikërisht sepse s’të bën asnjë çudi. Sigurisht që sot s’do ta bëja të njëjtën gjë, s’jam më ai, dhe është një kohë tjetër, me ëndrra dhe angazhime të tjera për mua, ato kohë të papërsëritshme rinie të ndarë mes diktaturës dhe lirisë ishin të mbushura me etjen e pafundme për lirinë e mohuar për vite të tëra, me kuriozitetin e paepur për të parë dhe prekur nga afër përmasat e panjohura të botës së lirë, me ëndjen e madhe për të zbuluar vende dhe realitete të pazakonta për ne që dilnim nga bunkeri i jetës së oklaisur të diktaturës e me të shijuarit deri në fund të faktit të thjeshtë se s’kishim asokohe asnjë llogari për të dhënë askujt përveç Zotit, i cili s’kishte arsye të mërzitej me ne duke na parë siç na kishte lindur, e njëri-tjetrit që s’kishim pse i kërkonim llogari pse e shihnim në diell, det e rërë, siç e kishte bërë Zoti.

Por s’e mohoj dot kur Vali Bizhga, bashkëpunëtorja ime e afërt dhe mikja e shtrenjtë, që ka qenë për mua një mbështetje e paçmueshme morale e intelektuale në çdo orë të vështirë qyshse m’u bashkua si nënkryetare bashkie në janarin e vitit 2003, më pas drejtore e kabinetit tim dhe përgjegjëse e palodhur e asaj fushate, më mori për të më thënë se kishte një zarf me një përmbajtje shqetësuese në dorë e nuk më thoshte dot më shumë në telefon, ishte kulmi i fushatës, nisi të më ngrihej një tension i brendshëm dhe t’më fillonte ankthi i së panjohurës për mënyrën se si do të reagonte opinioni publik.

“S’është puna ç’mendoj unë”, tha Vali pa e fshehur dot turbullirën nga fytyra e saj gjithnjë transparente; kur u ktheva në zyrat e shtabit e pashë mbi tavolinë pikërisht atë që mendoja, dy foto të futura në një zarf anonim të hedhur në kutinë postare në hyrje të Bashkisë, “po ç’do të mendojnë njerëzit e zakonshëm që na votojnë pasi t’i shohin dhe të dëgjojnë edhe bubullimat e këtyre maskarenjve që shkojnë deri këtu?!”. “Vali, – i thashë, – nëse t’i s’mendon keq, pse duhet të mendojnë keq njerëzit e zakonshëm që na votojnë, s’janë aspak budallenj e të paditur që të bien pre e kësaj maskarade?!”. Dhe vërtet fakti që Vali mirëkuptonte kontekstin e atyre pamjeve të fiksuara në aparat në kohë krejt të tjera më lehtësoi disi, po aspak mjaftueshëm për të fjetur atë natë.

Gjithsesi, mendjen e kisha të ndarë, s’do të mohoja asgjë, s’do t’i bishtnoj në asnjë formë së vërtetës, do ta thosha mu siç ishte dhe pikë. Revolta e brendshme për presionin mafioz ku Saliu ishte përfshirë si një burrë i pafytyrë, pa miratimin e tij ato foto sigurisht nuk dilnin kurrë në ekranet e në pasqyrat e fushatës, i cili prej lakuriqësisë së trupit tim në plazh dhjetë e kusur vjet më parë kujtonte se mund ta mbyste zogun që i kishte rënë më në fund në dorë, duke fshehur me hipokrizinë e vet proverbiale perversitetin e kushedisaterrtë të tij e të të tijve, njësoj si në kohët e vjetra kur luftonte mbledhjeve të partisë me shfaqjet e huaja në emër të normave antinjerëzore të moralit komunist, më bënte edhe me të vendosur për t’i dalë ballë për ballë, hapur së keqes që donte të më bënte.

Po s’ishte, e përsëris, as një fjalë goje dhe as një çështje e lehtë në kushtet kur dyshimi për perceptimin e opinionit, për vetë momentin shumë delikat, s’kishte se si mos të të merrte frymën.
Edhe pa fotot, që u bënë qershia mbi tortë, ajo e mandatit të tretë për Tiranën ishte një fushatë e vështirë, e ngatërruar, e rënduar për mua me peshën e madhe të të qenit njëkohësisht edhe në detyrën e liderit të opozitës, që më detyronte të shkoja kudo nëpër Shqipëri, megjithëse bashkimi i të gjitha forcave opozitare ishte arritur më në fund dhe LSI-ja e Ilir Metës, në atë kohë ende e bashkuar brenda vetes në një vijë qartësisht opozitare dhe e pakomprometuar së jashtmi me flirtin masakrues me Saliun, kishte një peshë shumë më të rëndësishme se ç’ka sot në skakierën politike.

Ishte, tek e fundit, pjesë e jona, e opozitës së qendrës së majtë, madje pjesa më radikale e saj në kuptimin shqiptar të kësaj fjale, dhe kjo lehtësonte rrugën e betejës. Iliri vetë, gjithnjë mes frikërave, dyshimeve, ngurrimeve, dëshirës infantile për ta parë PS-në të zvogëlohej e bëhej LSI dhe LSI-në të zmadhohej e bëhej PS, pasi dha e mori ca kohë duke u luhatur në dallgët e mendjes së tij që herë pas here e mbyste gjithë atë djalë masiv në një lugë ujë, derisa e zhyti fare dhe e katandisur në rezervë dhjami për dimrin e pushtetit të Saliut dy vjet më vonë, u fut në atë fushatë me të gjitha forcat dhe luajti një rol të pamohueshëm për fitoren tonë në qytetet e mëdha, përfshirë edhe Tiranën, sigurisht.

Kandidati i Saliut, Sokol Olldashi, u bë gazi i botës në atë fushatë me akuzat, shpifjet e dokrrat e tij për qytetin, që e kthyen Eduard Shalsin, nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, në rivalin real të tijin, i cili deri në fund ia doli ta bënte qesharak në sytë e opinionit, siç ishte në të vërtet me ç’bënte e ç’thoshte. Por e keqja ishte se Sokoli kishte një hije të rreme force, që e kishte krijuar si ministër i Brendshëm me ca prangosje të disa prototipave të kriminalitetit shqiptar, që Saliu i quante eksponentët e bandave më të rrezikshme më botës, hije që e kish mbjellë në opozitë para ministërllëkut me fitoren në Shijak kundër një ministri socialist, Agron Dukës, që sipas Saliut gjithnjë, përfaqësonte klanin e zi të Zemunit, drogë, kontrabandë, prostitucion e çdo të zezë që rridhte nga gabzherri i ngjirur i kryeopozitarit demokratik.

Asaj hijeje force e misteri ndikues ia shtonin më anë tjetër peshën iluzore edhe lidhjet e njohura të ministrit qysh nga fushata e Shijakut me lloj-lloj kriminelësh ordinerë e të fortësh të lloj-lloj gjëmave dhe bëmave ordinere, që historikisht kanë lidhur në fakt epikën folklorike antikrim e antikorrupsion të Saliut me realitetin e labirinteve të krimit e të hajdutërisë në Shqipëri, të cilat e kishin një dalje jo edhe aq të fshehtë mu në zyrën e Doktorit.

Kjo bëri që atij farë kandidati t’i mblidhej para e madhe për fushatën nga gjithë të tremburit e të tredhurit prej forcës abuzive të pushtetit dhe qoftë beteja e reklamave në rrugë e ekrane të bëhej thellësisht e pabarabartë, qoftë beteja për mbrojtjen e votës nga lukunia e hajdutëve të bërë bashkë për ta vjedhur atë të bëhej vendimtare, për më tepër kur edhe listat ishin hukubet, dokumentet e identifikimit krejt primitivë, fuqia korruptive e pandeshur ndonjëherë më parë. Megjithatë, e gjithë përpjekja e madhe që u bë nga ana e tyre, përfshirë edhe nxjerrjen e turpshme të fotove nudo javën e fundit, si për të më dhënë goditjen përfundimtare, rezultoi një tullumbace gjigande që u zhbë në flluska sapuni, fitorja ishte e plotë, e qartë, pa asnjë shteg për Saliun dhe pamjet e mia cullak i vunë asaj vulën, duke e thelluar me vota të pavendosurish e të rinjsh që kompensuan vjedhjet në një numër qendrash votimi.

Thuajse të gjitha ata me të cilët arrita të flisja gjatë gjithë ditës së daljes së fotove, disa shmangeshin mbase pa ditur ç’të thoshin, më thoshin në mënyra të ndryshme t’i mohoja ose mërmërisnin të hutuar, pa numër të më inkurajonin të pohoja autenticitetin e tyre. “Thuaj është montazh”, këmbënguli disa herë Iliri, që ishte sinqerisht i shqetësuar e u shqetësua edhe më shumë kur kuptoi se s’bëhej fjalë për të mohuar gjë, të vetmit ndër të politikës që mbaj mend plotësisht në një mendje me mua, madje të pasikletosur hiçfare, ishin Erjon Braçja, që qeshte me lot dhe thoshte “Mbaroi kjo punë, do jetë e thellë!” dhe Ben Blushi që më tha “Do t’ju kthehet bumerang”, ndërsa Pandi Majko, atëherë sekretar i Përgjithshëm i PS-së, që mbulonte fushatën në zona ku unë s’shkoja dot për shkak të kohës, u mbyll i bykosur nga sëkëlldia në shtëpi atë ditë dhe komunikoi vetëm me nënën time, e cila merret lehtë me mend, ishte tejet e sëkëlldisur.

Mua vetë, siç ta thashë, zemra më thoshte gjithçka është në rregull, kurse mendja më sorrolliste në një labirint të lodhshëm hamendësimesh deri në fund të ditës.
E kam si tani para syve në buzëdarkën e asaj dite, kur dola më në fund i lehtësuar nga salla e diskos “Venue”, aty ku qëlloi takimi i programuar qysh më parë e ku tregova të vërtetën time açik përpara një turme të rinjsh e të rejash, jo pa siklet të them të drejtën, isha si në ethet e një provimi aspak të lehtë, një gjimnazist të mbështetur në mur më xhupin e skuadrës legjendare të bejsbollit Red Socks e me duart në xhepat e bluxhinseve të rrjepura që më tha sikur të kishte hequr një hall të madh, “Ah mër plak, sa frikë kom pas sot se po na zhgënje e po na thu s’jom unë ai që kan qit lakuriq gazetat! Hallall plako, s’ka mo Pereni që t’rref kët t’dielë”.