Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 11:43

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe drejtues të tjerë të partive të majta opozitare, bashkë me veteranë të Luftës, kujtuan të martën të rënët në luftën për çlirim, duke bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut dhe vendosur kurora me lule tek memoriali “Nënë Shqipëri.”

Rama shoqërohej nga nënkryetari socialist i Kuvendit, Namik Dokle, deputetë të grupit parlamentar të PS-së dhe nga drejtues të partive të majta aleate.

Pas homazheve, Rama uroi “29 Nëntorin, ditën e Çlirimit të vendit”, duke theksuar se kjo

“Kjo është dita që u kujton të gjithë shqiptarëve se në orët e këqija të historisë paraardhësit tanë, veteranët e luftës, u vendosën në anën e duhur të historisë; është dita që e bashkoi Shqipërinë me forcat e lirisë dhe demokracisë; dita që askush nuk mund ta fshijë as nga kujtesa, as nga librat e historisë; është dita që bën qesharak dhe me turp këdo që përpiqet të vërë dorë mbi të”, tha Rama në një prononcim për mediat.

 

Meta: Në politike jo emocione negative


“Nuk kemi komplekse të nderojmë partizanët, komunistët këdo qoftë se dha jetën për lirinë e atdheut. Jemi realistë dhe theksoj se historia nuk i toleron emocionet politike”. Kjo ishte një pjesë e deklaratës që kreu i LSI, Ilir Meta bëri sot pas homazheve që kreu në Varrezat e Dëshmorëve dhe monumentin e Nënë Shqipëri me rastin e Ditës së Clirimit.

Në fjalën e tij kreu i LSI-së Ilir Meta theksoi se 29 Nëntori është një ditë e rëndësishme për shqiptarët pasi ishte fitorja e Luftës Anti-fashiste Nacional-Clirimtare ajo që i bëri të paprekshme themelet e pavarësisë së Shqipërisë.

“29 Nëntori është një ditë jashtëzakonisht e rëndëisishme për një arsye shumë të qartë, se ka qënë fitorja e Luftës Antifashiste Nacional-Clirimtare, një luftim i drejtë i partizanëve, të atyre që e fituan këtë luftë duke bërë të paprekshme sovranitetin dhe territorin shqiptar. Të urojmë familjeve të dëshmorëve dhe të partizanëve dhe të gjithë popullit shqiptar, Gëzuar këtë ditë të lavdishme dhe i pavdekshëm qoftë kontributi dhe sakrifica e tyre dhe do të jetë i përjetshëm kujtimi i të rënëve” ka theksuar Meta.

Lidhur me festimet që e djathta në pushtet kreu më 28 nëntor dhe Ditën e Clirimit, Meta theksoi se LSI-ja nuk pajtohet me pjesën tjetër të koalicionit për t`i festuar në të njëjtën ditë të dyja festat, ndërsa shtoi se për historinë nuk mund të vendosin partitë politike.

“Është qëndrimi i tyre dhe ne nuk pajtohemi sepse ne mendojmë dhe besojmë që datën e atyre që kanë luftuar nuk mund ta vendosin gjenerat e mëvoshme dhe partitë politike. Faktet tregojnë se 29 Nëntori është shënuar si Dita e Çlirimit të vendit dhe absolutisht nuk duhet që emocionet politike të ngarkohen mbi historinë sepse nuk i bëjnë mirë as politikës dhe as historisë” ka theksuar Meta.

I pyetur se nëse LSI-ja vlerëson Partinë Socialiste për ta festuar ditën e Clirimit më 29 Nëntor, Meta theksoi se në lidhje me këtë ditë duhet të vlerësohen komunistët pasi ata kanë një peshë kryesore për çlirimin e vendit.

“Ne nuk kemi komplekse të vlerësojmë. Ne vlerësojmë komunistët shqiptarë pasi janë ata të cilët kanë mbajtur peshën kryesore në luftën për çlirimin e atdheut. Ne duhet të jemi realist dhe historia nuk bëhet përditë apo çdo katër vjet” ka theksuar më tej Meta.