Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 10:15

Tiranë – Në tryezën Rruga e Programit- Çështjet e Pronës, të organizuar dje nga opozita, kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi se  “çështja e pronës është në bazamentin e katër shtyllave të programit tonë “Për një Rilindje Shqiptare”.

Duam t’i japim fund rrënimit të mëtejshëm të pronës publike si dhe zvarritjes së dhjetëra mijëra familjeve që për fajin e shtetit kanë ndërtuar shtëpi pa leje dhe enden pafund për të legalizuar shtëpitë”, u shpreh ai.

Sipas tij, publiku dhe brezat që vijnë duhet të marrin pjesën që u takon në këtë zgjidhje, përmes vënies nën mbrojtje të pronës publike.

“Pronarët duhet të marrin po ashtu pjesën që u takon nga zgjidhja, përmes një programi realist dhe një qeverie që do ta zbatojë pikë për pikë programin. Familjet që jetojnë nën çati të palegalizuara ende duhet të marrin me patjetër pjesën e premtuar përmes një zgjidhjeje që do t’i kthejë nga ligjthyes të një epoke pa rend ligjor në pronarë të ligjshëm në një vend ku nuk do të lejohet më vendosja e asnjë tulle pa leje”, deklaroi kreu i selisë rozë.

Duke u ndalur në shtyllën e dytë të programit të PS-së “Për një Rilindje Shqiptare”, Ripërtëritja e Shoqërisë, Rama u shpreh se “pa zgjidhur problemin e pronës dhe të marrëdhënieve mes njeriut dhe pronës publike apo private, mungesa e kohezionit social në Shqipëri do të mbetet plagë e hapur”.

Ai tha se “ne duam një zhvillim modern urban e rural dhe jo braktisje të komuniteteve e të fshatit sidomos, në mëshirën e fatit, dhe zgjidhja e problemit të pronës është një kusht themelor për këtë.

Për Ramën, “nuk mund të ketë ripërtëritje të shoqërisë pa ripërtërirë gjithë infrastrukturën sociale të vendit”.

Më tej, kreu i PS-së tha se “shtylla e tretë programit tonë “Për një Rilindje Shqiptare” është Rivendosja e Demokracisë. Pa zgjidhjen e çështjes së pronës dhe demokratizimin e marrëdhënies me pronën, publike apo private s’mund të flitet për një demokraci që funksionon qoftë për qytetarin, qoftë për shoqërinë”.

Ai theksoi se “korrupsioni me pronat po gërryen themelet e ekonomisë, të financave e të stabilitetit politik të vendit, përveçse po e shpërfytyron pamjen e vet vendit”.

Në përfundim, Rama tha se “demokratizimi i marrëdhënieve me pronën është sot një emergjencë kombëtare, për t’ i ridhënë Shqipërisë mundësi të rimarrë frymë dhe mund të hapë sytë nga e ardhmja pa u trembur prej barrës së tmerrshme, ende plotësisht jo të dukshme, që po rëndon mbi supet e veta për shkak të mbivendosjes me pronën dhe për t’i ridhënë frymëmarrje sipërmarrjes duke asgjësuar pabarazinë ekstreme në trajtimin e saj kur në mes hyn prona”.