Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 15:15

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi sot ndaj dorëheqjes së drejtorit të policisë së Qarkut të Dibrës Shemsi Premçi, duke e konsideruar aktin e tij, një sirenë alarmi që duhet ta dëgjojë Prokurorja e Përgjithshme, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Jam këtu për të përshëndetur për kurajon drejtuesin e policisë së Dibrës Shemsi Premçi, qëndrimi i të cilit është një këmbanë alarmi për ekzistencën e shpellës së mafies në Bulqizë. Është një këmbanë alarmi për kryeprokuroren dhe një këmbanë që duhet ta dëgjojnë të gjithë policët e ndershëm që ndeshen sot me murin e shurdhët të institucioneve”, u shpreh Rama.

Sipas tij dorëheqja e Shemsi Premçit është “një sirenë alarmi që duhet të dëgjojë e gjithë shoqëria, por dhe partnerët ndërkombëtarë për të kuptuar edhe më mirë hendekun dhe se çfarë po ndodh në realitetin e shqiptarëve”.

Ai theksoi se PS do ta vazhdojë në parlament betejën për zbardhjen e krimit shtetëror që ka kapur fuqishëm minatorët e kthyer në skllevër. (LajmeShqip.com)