Lajme Shqip Friday, 04 October 2013 17:46

Tiranë- Në takimin e hapur me biznesin me temë “Dialog, Përgjegjësi, Partneritet” të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, ka folur edhe kryeministri Edi Rama. Ai ka thënë se ekonomia shqiptare sot është në një krizë të thellë. Sipas tij, duhen lënë mënjanë gënjeshtrat dhe tashmë duhet thënë e vërteta për realitetin.

“Jemi këtu për t`ju konfirmuar se suksesi juaj është suksesi ynë. Për ne fati i parave tuaja është fati i parave të këtij populli. Për ne siguria në rrugën tuaj është siguria në rrugën e Shqipërisë drejt atyre aspiratave të paralizuara, që do ta bëjnë Shqipërinë një vend normal. Sot Shqipëria është në krizën e saj më të thellë pas asaj të 97-ës. Flasin shifrat dhe faktet, por më shumë se ato flasin plagët në trupin e çdo sipërmarrje që jeton jashtë oborrit të pushtetit të djeshëm, që e transformoi marrëdhënien me biznesin, në një marrëdhënie dhune dhe arbitrariteti, në një marrëdhënie perverse” tha Rama.

Ndërsa ka garantuar mbështetje të plotë për biznesin, Rama theksoi sot vendi është në kushtet e një ekonomie të bllokuar.

“Sot jemi pa buxhet dhe me një ekonomi të bllokuar, që kërcënon të ndalë funksioninn tërëso të shtetit, nëse sot qevria dhe sipërmarrja nuk ndalin krizën. Në anijen e ekonomisë së këtij vendi qeveria dhe sipërmarrja janë bashkë dhe së bashku duhet ta nxjerrin anijen në ujërat e qeta, duke kapërcyer bashkarisht dallgët e mëdha që kemi sot dhe përpara. Vendi nuk ka nevojë më për mjaltin e gënjeshtrave, asaj i duhet ilaçi i hidhur i të vërtetave dhe dialogu ynë mund e duhet e do të kalojë vetëm përmes të vërtetave” tha Rama.

Rama tha më tej se qeveria ka një borxh të madh ndaj sipërmarrjes, rreth 600 milion dollarë, por ripërsëriti premtimin për shlyerjen e këtyre borxheve.

“Çfarë mund të bëjmë ne për të rritur të ardhurat nga fatrat e energjisë elektrike, si mund t’i kërkojmë njerëzve të paguajnë energjinë kur Këshilli i Ministrave nuk i paguan, kur gjithë ngrehina e shtetit është borxhliu më i madh i sektorit energjitik? Që ne të kërkojmë nga ju që kush fiton më shumë paguan më shumë, duhet të krijojmë kushtet që të ndiheni protagonistë të respektuar e jo kulake.  Situata është e tillë që s`kemi mundësi për zgjidhje të atilla që të gjithë të jemi të lumtur, por duhet të bëjmë zgjidhjet e kërkuara me çdo çmim, në mënyrë që nesër vendi të rifutet në rrugën e rritjes ekonomike dhe sipërmarrja të ndahet nga rruga shumëvjeçare që në çdo hap ndeshet me dhunën, presionin, korrupsionin. Kemi borxhe në transport, punë të papaguar kompanive. Kemi borxhe ndaj sektorit të ujërave, ndaj sektorit shëndetësor, përfshi detyrimet e ilaçeve.  Kemi borxhe në sektorin e arsimit, kemi TVSH e parimbursuar” tha Rama./tema/