Lajme Shqip Saturday, 06 July 2013 13:06

Tiranë – Kryetari i PS-së, Edi Rama, njëherësh kryeministri i ri i vendit ka rrëfyer të në emisionin “Zona e debatit”, historinë me dy breshkat e tij, që janë pagëzuar me emrat Sali e Fatos. Përtej politikës, Rama ka folur për filmat, librat që lexon dhe muzikën që dëgjon.
“Breshkat do të vijnë me mua në zyrën tjetër, patjetër. Historia e tyre është shumë e thjeshtë. Një miku im artist, kishte qenë në Senegal, shumë vite më përpara dhe më tregoi që njerëzit që kanë probleme me astmën, dhe unë kam pasur probleme me astmën, është mirë që të mbajnë breshka në vendin ku rrinë. Një natë, duke u kthyer nga Elbasani, pashë nën dritat e makinës, një breshkë që po kalonte rrugën. I thashë shoferit: “ndalo dhe merre” dhe e morëm breshkën. Pastaj morëm edhe një tjetër. Të dyja, sepse nuk mund të kishim Fatosin pa Saliun dhe kështu u pagëzuan dhe pastaj më shoqëruan në udhëtimin tim dhe janë këtu me mua”, ka thënë Rama. 
Rama ka folur sërish në këtë intervistë për nacionalizmin.
“Sigurisht që nuk marr përsipër të bëj zbërthimin e plotë të nacionalizmit, sepse kjo është një çështje që kërkon një diskutim shumë të gjatë. Por, unë e kam shumë të thjeshtë, nëse për nacionalizëm marrim atë që në fakt për mua është nacionalizmi, unë e refuzoj nacionalizmin, unë zgjedh atdhedashurinë si një motivim të brendshëm për t’i shërbyer vendit, duke mos harruar asnjëherë që problemet e vendit nuk zgjidhen përmes luftës me të tjerët, në rast se vendi është i lirë dhe qeveriset nga një forcë legjitime, tjetër gjë nëse vendi është i pushtuar dhe lufta me pushtuesit është luftë edhe me të tjerë. Unë besoj se ne jetojmë në një kohë krejtësisht tjetër dhe sfida jonë është që të jetojmë me kohën e re një orë e më pare”, ka thënë ai.