Lajme Shqip Wednesday, 12 February 2014 17:47

Partia Demokratike ndodhet në të njëjtën situatë ku ndodhej Partia Socialiste para zgjedhjeve të 23 qershorit. Kërkesat e PS-së të refuzuara nga PD-ja në pushtet, tani po ridrejtohen PD-ja në opozitë.

Një prej këtyre është kërkesa për kohë të barabartë mes kryeministrit dhe “përfaqësuesit të PD-së”. Një kërkesë të tillë, PD e cilësoi antikushtetuese afërsisht një vit më parë. Por tani PD duket se ka ndryshuar qëndrim 180°.

“Ne kërkojmë që në debatin parlamentar të respektohet një parim shumë i rëndësishëm që është ai i kushteve të barabarta. Kuvendi është formimi i vullnetit politik nëpërmjet “përplasjes” së vullneteve politike të forcave të ndryshme politike. Duke qenë se edhe kryeministri përfaqëson ekzekutivin në raportin me Parlamentin, ajo që kërkojmë ne është një barazi “armësh””, shprehet deputeti i PD-së, Oert Bylykbashi, shkruan shekulli.

Duke sqaruar se kjo nuk është një kërkesë që bie ndesh me Kushtetutën, Bylykbashi zbulon një të “fshehtë”.

“Nuk ka asnjë përplasje me Kushtetutën. Ndërkohë ajo që kërkojmë ne është krejt tjetër. Ne kërkojmë ndërhyrje të përfaqësuesit, e kreut të Grupit Parlamentar ose të një përfaqësuesi, të jetë për ndërhyrje kryesore ndaj kryeministrit, ato ndërhyrje që krijojnë dhe shprehin një vullnet politik”.

Deri tani “përfaqësuesi” më i denjë në Kuvend për PD-në ka qenë Berisha dhe një kërkesë e tillë gjithashtu vjen në një kohë kur ish-kryeministri ka bërë dhe autokritikë për fjalimet pa kufizim të tij në Kuvend. Në intervistën e dhënë mbrëmë për Eni Vasilin, ish-kryeministri u shpreh se duhet respektuar rregullorja dhe nuk duhet lejuar që një deputet të flasë sa herë të dëshirojë.