Dy liderët e partive më të mëdha në vend kanë qenë të ftuar në ceremoninë eFestivalit të Filmit në Tiranë “TIFF”-“Tirana International Film Festival” por ata kanë shmangur takimin me njëri-tjetrin.
Kryeministri dhe lideri i opozitës kanë bërë gjithçka gjatë ceremonisë përmbyllëse të Tirana Film Festival, përveçse i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit. Madje janë përpjekur që edhe shikimet të mos kryqëzohen mes tyre.
I pari në sallën e kinema “Millenium” ka mbërritur zoti.Rama e disa minuta më pas kryebashkiaku i Tiranës Basha që ka shtrënguar duart me gjithë rreshtin e parë të sallës, por pa mbërritur tek kryeministri i cili gjithashtu ka ruajtur qëndrimin indiferent.
Edhe në pozicionimin e tyre ulës, Rama e Basha kanë qënë afër e afër, por me bashkëshortet në mes që gjithsesi nuk kanë ndikuar në shkrirjen e akullit madje kanë shfaqur të njëjtën ftohtësi ashtu si edhe dy liderat meshkuj.
Ndërsa përshëndeti Festivalin, kreu i bashkisë Basha tha se ky event po e rrit vit pas viti Tiranën në sytë e komunitetit të madh artistik dhe intelektual të botës, si një qendër e rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare kulture, si një destinacion i denjë i kërkimit dhe krijimit artistik, si një vend me talente që përtërihen vazhdimisht dhe me një publik artëdashës të kultivuar.
Kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau një nga çmimet, fjalimin e tij ia dedikoi mikut të tij, një nga themeluesit e festivalit, që sot nuk jeton më.
“U nda nga jeta pas një beteje të gjatë dhe të vështirë vitin e kaluar dhe Ilir dhe Agroni menduan të pagëzojnë një nga çmimet me emrin e tij. Në rast se filmat thonë të vërtetën është duke na parë dhe me siguri aty ku është është shumë i lumtur për këtë. Dha gjithçka nga zemra për gjithë fëmijët shqiptarë dhe nuk mori asgjë në këmbim përveç miqësisë, që në emër të së cilës i jepet ky çmim. Këtë festival e kemi nisur bashkë, mund të thuhen me plot kuptim fjalët ajo që ai thoshte: “rruga e gjatë zemrat peshë”, tha Rama. /albeu/