Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 13:06

Tiranë – Kuvendi po shqyrton të enjten në seancë plenare p/ligjin “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”.

Vendimi për ngritjen e Kompleksit të ri Parlamentar në Shqipëri, duke e rrënuar Kompleksin Piramida, duket se do të jetë përplasja e radhës midis qeverisë dhe opozitës.

Sipas relacionit të paraqitur në parlament nga komisioni i Ligjeve, p/ligji përcakton bazën ligjore të ndërtimit të kësaj vepre, si dhe është një procedurë në vijim e konkursit ndërkombëtar, mbi bazën e të cilit u përzgjodh nga një juri prestigjoze ndërkombëtare, ideja fituese e kompleksit të ri parlamentar, si një projekt madhor me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.

P/ligji, i përbërë nga 9 nene, përcakton të drejtat, detyrimet, afatet dhe procedurat për institucionet që përfshihen në ndërtimin dhe finalizimin e projektit të ndërtimit të kompleksit.

Gjatë diskutimit në parim të p/ligjit, nismë e 38 deputetëve të Partisë Demokratike, relatori i tij, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, tha se kompleksi parlamentar do të ndërtohet me paratë publike, nëpërmjet procedurave të prokurimit publik.

“Vendi ynë, është i vetmi në rajon që nuk ka një Kuvend dhe e ka të ndarë atë në dy ndërtesa. Kjo është arsyeja pse do të duhet të ndërtojmë Kuvendin, i cili do të jetë i shqiptarëve, ku do të mbizotërojë psikoza e demokracisë së këtij shteti”, theksoi Alibeaj.

P/ligji parashikon që Kuvendi të jetë enti prokurues i firmës fituese të punimeve në vendin ku sot ndodhet Piramida, ndërsa Këshilli i Ministrave do të ndjekë hapat e tjerë në zbatimin e këtij projekti.

Sipas tij, për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar autoriteti shtetëror kompetent për dhënien e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTSH).

Vendimi për ngritjen e Kuvendit të ri të Shqipërisë është kundërshtuar dhe nga Bashkia e Tiranës, e cila e ankimoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese. Por, kjo e fundit, në një seancë në muajin qershor, rrëzoi pretendimin e Bashkisë së Tiranës për pezullim të vendimit të Kuvendit, të miratuar më 21 tetor 2010 “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar”.

Ndërkohë, më 24 mars, një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve, atë të një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) si fituese të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, të shpallur nga Kuvendi.