Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 13:20

Lideri i opozitës shqiptare i përgjigjet pyetjeve të Klan-it: Tirana pas 8 majit dhe pse viti 2013 do të sjellë rotacionin politik në vend. Çfarë mendon ai për Nanon si President dhe pse nuk i kushton vëmendje Aleancës Kuqezi apo partisë së Bamir Topit.

Kur nisa kontaktet e para për t’i “rrëmbyer” një intervistë Kryetarit të Partisë Socialiste, nuk e kisha menduar se kalvari mund të zgjaste mbi një muaj. E dija ngarkesën me të cilën duhet të përballej lideri i opozitës shqiptare me fillimin e 2012-ës, por prapë se prapë, nxisja veten, ai duhet ta gjente një orë kohë për t’i kthyer përgjigje pyetjeve. E këtë e bëri në prag të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pak orë përpara se të merrte avionin për në Mynih, e mandej në Nju Jork e Uashington. Mësohet se gjatë kësaj vizite në Departamentin e Shtetit do të takohet me zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit, Filip Riker, pa detaje të tjera.

Në këtë intervistë ekskluzive për Klan, Edi Rama është treguar konçiz, i drejtpërdrejtë dhe fjalëpak, jo sepse nuk di të bëjë të kundërtën, porse duke folur shkurt arrin të thotë më shumë. Ndoshta, edhe Twitter-i, rrjeti social të cilin ai e përdor çdo ditë e për të cilin thotë se nuk i merr asfare kohë nga përditshmëria e aktiviteteve politike, mund të ketë pakëz gisht në këtë mesele. Ai tregohet i sigurt kur e quan të mbaruar dhe të dështuar misionin e qeverisë aktuale: “S’ka asnjë shans për një mandat të tretë dhe s’do ketë më mundësi që për të dytën herë të vjedhë mandatin e saj qeverisës”. Ndërsa, në Tiranën të cilën e udhëhoqi për 11 vjet radhazi, pas gati një viti nga zgjedhjet e 8 majit, shikon veç shenjat e para të rënies dhe keqadministrimit.

Z. Rama, po afrohet një vit nga zgjedhjet e 8 majit, pas të cilave ju u larguat nga Bashkia e Tiranës në mënyrën që tashmë dihet. Gjatë këtyre muajve, kur ju ndodh të ecni nëpër Tiranë, si ju duket ajo? A ka ndryshuar shumë nga Tirana që bëtë dhe latë ju pas 11 vitesh?

Nuk më duket, përkundrazi, sepse Tirana ka humbur sheshin e saj qendror dhe kështu edhe një pjesë thelbësore të trashëgimisë e të identitetit të saj urban e kulturor. Për të tjerat s’shoh asnjë ndryshim në mos shenjat shqetësuese të rënies së cilësisë së mirëmbajtjes së rrugëve, trotuareve, sipërfaqeve të gjelbra, Parkut të Liqenit, të cilat shpresoj të mos kthehen në plagë siç ndodh me qytetet e keqadministruara përgjithësisht.

Në dy vitet e fundit, por edhe sot e gjithë ditën, PS-ja, opozita në tërësi dhe ju personalisht fajësoheni nga mazhoranca dhe Kryeministri Berisha si arsyeja kryesore për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në BE të Shqipërisë. Sigurisht, kjo s’ka se si të jetë plotësisht e vërtetë, përderisa qeveria përgjigjet përpara çdo dështimi. Por, në të gjithë këtë histori, a i njihni vetes qoftë edhe një gabim apo mosveprim politik që mund të ketë ndikuar në refuzimin dy herë të statusit?

Të them të drejtën jo! Zgjedhjet që janë edhe në krye të listës së shqetësimeve e të rekomandimeve nuk i vodhi opozita. Krimin e korrupsionin nuk e lufton konkretisht opozita që vetëm mund të flasë për to. Sistemin e drejtësisë nuk e bën funksional opozita që vetëm mund të bëjë propozime për përmirësimin e tij. Kush mendon se pa këto Shqipëria mund të merrte statusin, thjesht gënjehet nga propaganda e shfrenuar antiopozitare. Sa për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në procesin e ligjvënies kjo nuk ka munguar, përkundrazi kemi miratuar të gjitha kodet me 3/5-at, por statusi mbetet larg pikërisht sepse marrja e tij nuk është vetëm çështje e lidhur me çfarë miratojmë në letër, po në radhë të parë me çfarë jetësohet në realitet. Dhe është pikërisht realiteti i gjërave që nuk e favorizon marrjen e provimit të kandidimit për BE.

Zgjedhjet për kryetarin e PS-së në Tiranë ju i keni cilësuar si një model i demokracisë brenda një partie politike. A është sot Partia Socialiste partia më e hapur në vend, pavarësisht kritikave që keni marrë për të kundërtën nga disa eksponentë politikë?

Besoj se realiteti i gjërave në këtë aspekt flet vetë. PS-ja nuk është e përsosur, s’ka parti politike të përsosura, por është e vetmja parti ku ka jetë demokratike, debat të brendshëm, zgjedhje të lira e të ndershme si ato të Tiranës.

Ju është dashur të reagoni disa herë pas disa titujve në gazeta për sherre dhe pakënaqësi në PS, se asgjë nuk është e vërtetë. Megjithatë, disa pakënaqësi janë vënë re, sidomos pas delegimit të deputetëve në qarqe të ndryshme nga ato ku janë zgjedhur, siç është rasti i z. Braçe, çka më pas sqarua. Cila është mënyra që ndiqni për të ruajtur “ekuilibrat” në PS?

Ekulibri në PS garantohet pikërisht përmes debatit, ballafaqimit të mendimeve, përputhjes së qëndrimeve individuale mbi bazën e vetëdijes së përbashkët e të dëgjimit me durim të njëri-tjetrit, jo mbi bazën e diktatit gojëmbyllës.

Ingranimi i një grupi të rinjsh në strukturat e PS-së, pas një përvoje të tyren në jetën publike e politike, çfarë rezultatesh i ka sjellë partisë dhe çfarë prisni ende prej tyre?

Eshtë proces i natyrshëm për PS-në, e cila sot është ripërtërirë në një masë të konsiderueshme në një fazë ndërrimi gjeneratash. Sot në drejtimin e PS-së ka shumë të rinj që punojnë në harmoni me ata me më shumë jetë të gjatë partie e prandaj edhe me një eksperiencë më të madhe që është shumë e çmuar për ne.

Jeni shumë aktiv në Twitter, qoftë në publikimin e reagimeve tuaja, por edhe në leximin e atyre që ju shkruajnë. Sa kohë ju merr kjo gjatë ditës? Dhe pse ju duket interesant fakti i komunikimit online se sa ai nëpërmjet kamerave?

S’më merr asnjë kohë, është pjesë e të jetuarit të ditës politike dhe nuk e përjashton asfare komunikimin e drejtpërdrejtë para kamerave apo njerëzve pa praninë e kamerave. Eshtë një mjet më shumë që na e ka dhënë koha që jetojmë dhe paragjykimet apo keqgjykimet për përdorimin e këtij mjeti vijnë thjesht prej faktit se është një gjë e re, me të cilën jam i bindur se njerëzit do të mësohen shumë shpejt, ashtu sikundër ata që merren me politikë do ta përfshijnë më shumë herët sesa vonë në mjetet e tyre të komunikimit. Kur sheh një burrë të moçëm si Presidenti izraelit Shimon Perez në rolin e protagonistit të një videoje si ato të MTV për të lançuar faqen e tij në Facebook, s’ka se si të mos e shohësh edhe hendekun e madh mes kohës që jetojmë dhe atyre që këtu në Shqipëri flasin broçkulla për këto mjete të reja komunikimi.

Eshtë vënë re një aktivizim i shtuar i juaji në Kosovë e trevat e tjera shqiptare, ku duhet thënë PS-ja ka patur mungesa dhe ku z. Berisha gëzon një autoritet të konsoliduar. A duhet ta kishit nisur më herët këtë aktivizim; si e shihni reflektimin që politika shqiptare ka mbi Kosovën?

Mbase, por ndoshta mbingarkesa e punës me PS-në dhe me Bashkinë e Tiranës nuk ma ka mundësuar aktivizimin e plotë në hapësirën e politikës rajonale të PS. Ne po punojmë me shumë pasion për të plazmuar një vizion rajonal të partisë sonë dhe për ta pasur nesër një qeveri që në harmoni me partnerët tanë të mëdhenj, SHBA në radhë të parë, jo vetëm të mishërojë shembullin e përpjekjeve për integrim europian ndër vendet e rajonit ende jashtë BE-së, por edhe të nxisë me energji pozitive mirëkuptimin e bashkëpunimin rajonal.

Mazhoranca ka nisur një goditje reale ndaj Presidentit Bamir Topi dhe drejtuesit të Aleancës Kuq e Zi, sipas disa zërave, sepse Kryeministri Berisha i sheh formacionet e tyre si potencial rrjedhjeje të votave të djathta. A mendoni se këto dy personazhe mund të rrudhin votat e mazhorancës në 2013-ën?

Tanimë s’jemi vetëm ne, opozita shqiptare e rreshtuar në Aleancën për të Ardhmen, por edhe faktorë të rëndësishëm brenda të djathtës në pushtet që kanë ngritur zërin e tyre për keqqeverisjen dhe keqvajtjen e punëve në vend. Kjo nuk mendoj se është një çështje personazhesh që janë rebeluar djathtas, por e një fryme rebelimi brenda të djathtës për tradhtinë shumëplanëshe që qeveria e PD i ka bërë ideve dhe zgjedhësve të lidhur më shumë me të, pronarëve, të përndjekurve, të ardhurve që janë bërë mish për top dhe kanë mbetur me letrat e legalizimeve në dorë, por edhe të gjithë atyre që në tërësi kanë shpresuar e votuar djathtas. Sidoqoftë, rrudhja e votave për PD-në e për Saliun për shkak të këtyre forcave të reja që po marrin jetë në kampin e djathtë, nuk është dhe nuk do të jetë në fokusin e vëmendjes sonë në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet me Aleancën për të Ardhmen dhe do të qeverisim me programin tonë për një Rilindje Shqiptare.

Do ta pranonit një aleancë me LSI, Aleancën Kuq e Zi apo partinë e re që pritet të krijojnë mbështetësit e Presidentit Topi, në rast se mënyra e vetme për të rrëzuar me votë nga pushteti kryeministrin Berisha, do të ishte bashkëpunimi me një nga këto formacione politike?

Pushtetin e Sali Berishës, pjesë e të cilit është edhe LSI, do ta largojë vota opozitare dhe jo aleancat imagjinare me forca që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Dy PD-të e reja mund të krijojnë kushte për rithemelimin e të djathtës në opozitë, por as janë as do të jenë një parakusht për ndryshimin e qeverisë me votë. Kjo qeveri e ka mbaruar misionin e saj, ka dështuar tërësisht dhe çdo ditë që kalon sjell dëme që rrisin faturën e borxhit të saj ndaj shqiptarëve. S’ka asnjë shans për një mandat të tretë dhe s’do ketë më mundësi që për të dytën herë të vjedhë mandatin e saj qeverisës.

Në kuadër edhe të presionit ndërkombëtar për një kandidaturë të pëlqyer nga të dyja palët, a do të dalë PS-ja me një emër konkret të kandidatit për president në të ardhmen e afërt?

Qëndrimi i PS është i qartë. Vendit i duhet një President që sipas kushtetutës duhet të mishërojë unitetin kombëtar. Ai s’mund të jetë presidenti i një partie dhe aq më pak i Partisë Demokratike.

Sa shanse ka që ky emër të jetë ai i z. Fatos Nano?

Për këtë duhen pyetur të gjitha palët. Ne nuk paragjykojmë askënd, por gjykojmë se cilidoqoftë emri duhet të jetë shprehje e vullnetit të palëve për t’i dhënë vendit një President të Republikës së Shqipërisë, jo një zëdhënës të Oborrit të Saliut në Presidencën e Republikës.

Thuhet se në karrierën tuaj politike, pra pas marrjes së PS-së dhe deri më sot, keni pasur dy shanse për marrjen e pushtetit, por nuk keni mundur për një sërë faktorësh, përfshirë edhe gabime tuajat politike: I pari, pas tragjedisë së rëndë të Gërdecit; dhe i dyti, me ngjarjet po aq të rënda të 21 janarit. Pas shtatë vitesh në krye të PS-së, mund të themi se janë pjekur kushtet e nevojshme dhe të domosdoshme t’ju shohim Kryeministër në vitin 2013?

S’kam bërë asnjërin nga dy gabimet që përmendni ju. Shumëkush mund të vazhdojë të mendojë e të thotë se tragjedia e Gërdecit ishte rasti për të rrëzuar qeverinë, ndërsa unë vetë, sikur koha të kthehej mprapsht do të sillesha po ashtu. S’është as në vizionin tim as në mënyrën e të qenit të Partisë Socialiste, hedhja e valles së interesave politike mbi gropën e një tragjedie kombëtare. Në 21 janar opozita u vra me armë dhe ky nuk ishte gabimi i saj, po krimi i qeverisë dhe të mos harrojmë, ndërkohë që janë hetuar e ndëshkuar ligjërisht shumë protestues, ende nuk është hetuar deri në fund dhe ndëshkuar siç e meriton asnjë vrasës dhe asnjë urdhërues i vrasjeve. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet për një Rilindje Shqiptare sepse shqiptarët nuk do të votojnë për Rrënimin e Mëtejshëm.

Duke patur parasysh situatën ekonomike, mes komunitetit të ndjekësve aktivë të politikës, analistëve etj, ekziston një mendim jo pak i përhapur, se edhe në rast fitoreje të ardhshme elektorale, kjo e juaja mund të jetë një “fitore si e Papandreut” në Greqi. Ndonjë koment mbi këtë?

S’ka lidhje.

Në këto vite të fundit aktiv në politikën opozitare, a keni pasur ndonjëherë një çast të vështirë, kur edhe mund të keni menduar, qoftë edhe për një sekondë të vetme, të përsërisnit fjalët e Konicës së madh: “Shqipëri…s’të kuptova asnjëherë”?

Jo, sepse modestisht, unë e kuptoj Shqipërinë dhe nuk është faji i Shqipërisë pse shqiptarët që e qeverisin e kanë katandisur këtu ku është sot.